Një gjykatë franceze do të vendosë nëse Perrier duhet të tërheqë ujërat e saj të ambalazhuar nga raftet, pas kërkesës së grupit të konsumatorëve UFC-Que Choisir për ndërhyrje emergjente, që pretendon se marka po reklamohet në mënyrë mashtruese si “ujë mineral natyral”.
Skandali ka të bëjë me përdorimin e trajtimeve për të parandaluar kontaminimin e ujit, të cilat sipas medias franceze dhe një hetimi të Senatit janë mbajtur të fshehura nga qeveria për vite me radhë.
Nestlé, pronari i markës, ka ndaluar përdorimin e trajtimeve kimike dhe ka kaluar te mikrofiltrimi, që sipas saj është i sigurt dhe nuk ndryshon përbërjen minerale të ujit. Megjithatë, UFC-Que Choisir argumenton se mikrofiltrimi është gjithashtu një trajtim që nuk është miratuar zyrtarisht dhe mund të paraqesë rrezik për shëndetin.
Perrier, i njohur për shishet e tij të gjelbra me formë loti, prodhohet nga burime në jug të Francës që nga fundi i shekullit XIX dhe është në pronësi të divizionit Waters të Nestlé që nga viti 1992./MXH
