Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime produktive për një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë, deklaroi Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë. Ajo tha se mes palëve kanë mbetur vetëm “dy-tre pika mospajtimi”.
Në një intervistë për programin The Story në Fox News, Leavitt theksoi se Presidenti amerikan Donald Trump është optimist se një marrëveshje mund të arrihet.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se SHBA nuk mund të vazhdojë pafundësisht furnizimin me armë për Kievin. “Shtetet e Bashkuara ende po dërgojnë ose shesin një sasi të madhe armësh për NATO-n. Nuk mund ta bëjmë këtë përgjithmonë,” tha Leavitt.
Komentet e saj vijnë ndërsa zyrtarët amerikanë dhe ukrainas po përpiqen të ngushtojnë hendekun mes tyre për një plan paqeje, me çështje thelbësore ende të pazgjidhura dhe me Ukrainën të shqetësuar se mund të shtyhet të pranojë një marrëveshje që i përputhet kryesisht kushteve të Kremlinit./mxh
