Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë në një intervistë së fundmi se Kina u ofron fëmijëve evropianë një version më të thjeshtë dhe vetëm argëtues të TikTok, ndërsa për fëmijët e saj përdor një version shumë më arsimor dhe të dobishëm.
Versioni kinez i TikTok-ut (Douyin) është zhvilluar për tregun kinez, ndërsa TikTok për përdoruesit ndërkombëtarë. Dy aplikacionet ngjajnë në strukturë, por përmbajtja që ofrohet është e ndryshme.
Kina ka censurë të rreptë dhe ndalon çdo material që mund të dëmtojë imazhin e vendit. Po ashtu, sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Miturve (2021), platformave u kërkohet të vendosin kufizime për fëmijët.
Për këtë arsye, ByteDance ka vendosur 40 minuta limit ditor për përdoruesit nën 14 vjeç dhe ndalon përdorimin nga ora 22:00 deri në 06:00.
Për të verifikuar pretendimet e Macron, ekipi verifikues i Euronews përdori një VPN, krijoi një profil 13-vjeçar në Douyin (DO-IN) dhe pa se përmbajtja ishte kryesisht edukative: eksperimente të thjeshta, mësime gjuhe, muzike dhe gatimi.
Sa për versionin “për të rritur”, të dy aplikacionet kanë përmbajtje të ngjashme, por Douyin mbetet i kufizuar nga rregullat e qeverisë kineze.
Ideja se Kina po përdor TikTok për të “dobësuar” të rinjtë në botë u përhap sidomos pas një interviste të vitit 2022 me Tristan Harris në “60 Minutes”.
Ai përmendi se fëmijët në SHBA ëndërrojnë të bëhen “influencer”, ndërsa ata në Kinë “astronautë”, duke përdorur një sondazh të vitit 2019. m.p.
