Last Updated on 03/12/2025 by Monika
Pesë orë bisedime mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorëve të lartë të Shteteve të Bashkuara nuk arritën të nxjerrin një marrëveshje për paqen në Ukrainë.
Lajmin e konfirmoi këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, pas takimit të zhvilluar në Moskë.
Në qendër të diskutimeve ishte i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, të cilët vijuan një javë diplomacie intensive për përpjekjet amerikane drejt përfundimit të luftës trevjeçare e gjysmë në Ukrainë.
Sipas Ushakov, bisedimet ishin “të dobishme dhe shumë konstruktive”, por palët nuk gjetën një kompromis. Ai tha se disa nga propozimet amerikane janë “të pranueshme”, ndërsa të tjerat “nuk i përshtaten” Rusisë.
Ai tha se tashmë përfundimi i luftës nuk është as afër dhe as larg, pa dhënë detaje të tjera.
“Ne ramë dakord me kolegët tanë amerikanë që të mos zbulonim përmbajtjen e negociatave që u zhvilluan. Kjo është mjaft logjike, pasi negociatat ishin absolutisht konfidenciale dhe të mbyllura për publikun,” deklaroi zyrtari i kremlinit.
Ndër pikat më të vështira mbeten kërkesat e Kremlinit që Ukraina të heqë dorë nga aspirata për t’u anëtarësuar në NATO dhe të dorëzojë territore në Donbas, të cilat Rusia i ka aneksuar, por jo pushtuar plotësisht.
Nga ana amerikane nuk ka ende një koment publik rreth bisedimeve, por presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Ukraina ishte një rrëmujë dhe konflikti nuk është I lehtë për ti dhënë fund. Komentet i mbajti në fillim të mbledhjes së tij të fundit të kabinetit për vitin 2025.
Një takim i mundshëm mes Putinit dhe Presidentit Trump nuk është planifikuar dhe sipas Kremlinit, do të varet nga progresi i negociatave.
Presidenti ukrsainas, Volodymyr Zelensky është shprehur optimist për shkak të shpejtësisë së bisedimeve për paqen dhe interesin e Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë, vetëm disa orë para bisedimeve, Putin paralajmëroi se Rusia nuk synon luftë me Evropën, por është “gati” të përgjigjet nëse kjo ndodh. Ai akuzoi disa liderë evropianë se po “qëndrojnë në anën e luftës”.
NATO ndërkohë deklaroi se nuk sheh asnjë sinjal që Moska është gati të bëjë “lëshime domethënëse”, duke theksuar se Rusia vazhdon kërkesat territoriale dhe synimin për të dobësuar forcën ushtarake të Ukrainës.
Takimi në Moskë pasoi bisedimet në Miami mes zyrtarëve amerikanë dhe një delegacioni ukrainas, që Sekretari i Shtetit Marco Rubio i quajti “shumë produktive”, por që kërkojnë ende shumë punë.
Megjithatë, në terren situata paraqitet e vështirë. Ukraina po përballet me një dimër të acartë, ndërsa infrastruktura energjetike është dëmtuar./mxh
