Komisioneri i Transportit i BE, Apostolos Tzitzikostas, është shprehur se është “i hapur ndaj të gjitha teknologjive” në debatin për ndalimin gradual të planifikuar të motorëve me djegie. Tzitzikostas iu përgjigj një pyetjeje të gazetës gjermane Handelsblatt nëse BE do të lejonte jo vetëm automjetet hibride, por edhe ato me motorë klasikë me djegie.
Rregulloret aktuale të BE-së parashikojnë që nga viti 2035 e tutje, praktikisht asnjë automjet i ri me motor me benzinë ose me naftë nuk do të lejohet të regjistrohet. Kjo synon të reduktojë më në mënyrë të konsiderueshme emetimet e CO2 nga sektori i transportit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i kishte kërkuar Presidentes sëKomisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër që të rishikojë rregulloren për ashtuquajturin ndalim të motorëve me djegie. Pas vitit 2035, përveç mjeteve plotësisht elektrike me bateri, duhet të vazhdojnë të regjistrohen edhe mjetet me sisteme të dyfishta drejtimi, me bateri dhe motor djegieje. Në letrën e tij, ai shkroi për “motore djegieje shumë efikase”.
Mund të ketë vonesë për propozimin e ri të BE
Sipas raportit të Handelsblatt-it, Komisioni Europian mund të kërkojë gjithashtu më shumë kohë sesa ishte planifikuar fillimisht për të dalë me një propozim të ri mbi ndalimin gradual të motorit me djegie. Deri tani, pritej që autoritetet e Brukselit të paraqisnin propozimin e tyre në mes të javës së ardhshme, por tani kjo mund të mos ndodhë deri në vitin e ardhshëm.
Komisioneri i Transportit, Tzitzikostas, i tha Handelsblatt: “Mund të ketë vonesë.” Ka arsye të forta për këtë. “Ne po vazhdojmë të punojmë shumë fort për të qenë gati deri më 10 dhjetor. Megjithatë, ekziston mundësia që të vonohemi pak,” tha Komisioneri i Transportit.
