Last Updated on 04/12/2025 by EL
Hetimi për korrupsion ndaj ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka vënë në pikëpyetje pozicionin e Presidente së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Sipas Politico-s, kundërshtarët e saj po përgatiten ta shfrytëzojnë çështjen për një përpjekje të re për shkarkimin e saj.
Mogherini e cila ka shërbyer si shefja e diplomacisë së BE-së nga viti 2014 deri në 2019 dhe aktualisht drejton Kolegjin e Evropës u arrestua të martën. Ajo u akuzua zyrtarisht nga Zyra e Prokurorit Publik Europian për mashtrim në tendera, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional në lidhje me një program akademik diplomatik të financuar nga BE-ja.
Pas shpërthimit të skandalit, von der Leyen “po përballet me sfidën më të madhe për llogaridhënien e BE-së në një brez”, shkruan Politico, ndërsa rivalët e saj po ringjallin thirrjet për një mocion të ri mosbesimi.
Sipas burimeve të BE-së, çështja ka tensionuar edhe marrëdhënien e von der Leyen me shefen aktuale të politikës së jashtme, Kaja Kallas, pasi hetimet lidhen me aktivitetet e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm, institucion që Kallas drejton.
“E di që ata që nuk e pëlqejnë von der Leyen do ta përdorin këtë kundër saj – por ata përdorin gjithçka kundër saj,” tha një zyrtar i BE-së për Politico.
Ai e mbrojti presidenten e Komisionit, duke shtuar: “Von der Leyen është figura më e identifikueshme në Bruksel, ndaj gjithçka i faturohet asaj… por ajo nuk është përgjegjëse për të gjitha institucionet.”
Skandali vjen mbi ‘Pfizergate’, çështja që kishte të bënte me komunikimet e saj të diskutueshme me Pfizer gjatë negociatave për vaksinat e Covid-19. Mungesa e transparencës për mesazhet telefonike nxiti më herët një mocion mosbesimi, të cilin von der Leyen e mbijetoi.
Ajo është parë gjithashtu si një nga zërat më të fortë për militarizimin e BE-së dhe furnizimin me armë të Ukrainës. Së fundmi, von der Leyen ka shtyrë përdorimin e fondeve ruse të ngrira për të ndihmuar Kievin përmes një skeme të quajtur “huaja e reparacioneve”, pavarësisht kundërshtimeve të Belgjikës vendi ku mbahen shumica e këtyre pasurive dhe që ka paralajmëruar rreziqe të mëdha ligjore e gjeopolitike./E.T
