I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pritet të takojë shefin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, të enjten në Miami, teksa Uashingtoni po intensifikon përpjekjet diplomatike për të gjetur një rrugë drejt paqes në Ukrainë.
Witkoff, i shoqëruar nga dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, zhvilloi të martën gati pesë orë bisedime me Vladimir Putinin në Kremlin. Moska deklaroi më vonë se takimi nuk kishte sjellë afrim të palëve drejt një marrëveshjeje paqeje. Një ditë më vonë, Trump i përshkroi diskutimet në Moskë si “mjaft të mira”, por pranoi se ende nuk ka qartësi për hapat e ardhshëm.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se Putin dëshiron një marrëveshje, por shtoi se “duhen dy për tango”. Ai deklaroi se SHBA-të kanë “diçka mjaft mirë të përgatitur” me Ukrainën. Ndërkohë, Putin mbajti një ton të ashpër të enjten, duke i thënë India Today se Rusia do të marrë kontrollin e plotë të Donbasit me forcë, nëse Ukraina nuk tërheq trupat e saj, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar kategorikisht.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, përsëriti se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë territor që kontrollon aktualisht dhe se ekipi i tij po përgatitet për takime në SHBA. “Vetëm duke marrë parasysh interesat e Ukrainës është e mundur një paqe e denjë,” tha ai.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi edhe më ashpër, duke i kërkuar Putinit “të mos humbasë më kohën e botës”./mxh
