Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, takoi në Madrid kryeministrin maroken, Aziz Akhannouch, gjatë Takimit të 13-të në Nivel të Lartë mes dy vendeve, i cili kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit.
Gjatë vizitës, Spanja dhe Maroku nënshkruan 14 marrëveshje që përfshijnë fusha si transformimi digjital, modernizimi i administratave publike, arsimi, sporti, kultura, parandalimi i fatkeqësive, bujqësia dhe peshkimi.
Sánchez theksoi lidhjet e forta njerëzore dhe ekonomike midis dy vendeve, duke vënë në dukje se komuniteti maroken është grupi më i madh i huaj në Spanjë dhe kontribuesi kryesor në sigurimet shoqërore, me rreth 335,000 persona.
Liderët diskutuan gjithashtu planet për Kampionatin Botëror të Futbollit 2030, i cili do të organizohet së bashku nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Sánchez bëri thirrje për bizneset që të përfitojnë nga mundësitë e lidhura me këtë event ndërkombëtar, duke nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe turistik mes vendeve./mxh
