Në korrik, një 17-vjeçar nga lindja e Ukrainës udhëtoi rreth 800 kilometra për të marrë një bombë dhe një telefon të fshehur në një park në Rivne, në perëndim të vendit. Ai thotë se iu premtuan 2,000 dollarë për të vendosur bombën në një furgon të shërbimit të mobilizimit ushtarak. Sipas rrëfimit të tij për BBC-në, detyra ishte që pajisja të shpërthente në distancë përmes një telefonate të transmetuar live nga vendngjarja.
Por SBU-ja, shërbimi i sigurisë së Ukrainës, e kishte ndjekur dhe arriti ta ndalonte atentatin. Sot, tashmë 18 vjeç, ai ndodhet në paraburgim në pritje të gjyqit për akuza terrorizmi që mund t’i sjellin deri në 12 vjet burg. Ai pranon se e kuptonte se mund të shkaktonte viktima.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se qindra fëmijë dhe adoleshentë janë rekrutuar online nga Rusia gjatë dy viteve të fundit, rreth 800 persona, prej tyre 240 të mitur, madje disa vetëm 11 vjeç. Ekspertja e sigurisë kibernetike, Anastasiia Apetyk, thotë se janë regjistruar përpjekje për të joshur edhe fëmijë 9–10 vjeç.
Sipas zyrtarëve të policisë dhe SBU-së, rekrutimi bëhet kryesisht përmes Telegram-it, por edhe në TikTok dhe platforma lojërash. Synohen fëmijët vulnerabël, që nuk kuptojnë plotësisht pasojat e veprimeve të tyre dhe motivohen kryesisht nga pagesat e premtuara, jo nga ndonjë simpatizim për Rusinë.
Vetë i riu i arrestuar thotë se nuk e mbështet Rusinë, thjesht kërkonte punë online, dhe brenda 30 minutash nga një postim i tij në Telegram, një person që u prezantua si Roman i ofroi “punën”. Ai tani përballet me pasojat e rënda të një situate ku fëmijët po shndërrohen në mjete të luftës./MXH
