Liderët perëndimorë që marrin pjesë në samitin e Sharm el-Sheikh kanë mundësuar dhe sponsorizuar këtë masakër. Ata nuk janë në asnjë pozitë për të ndërtuar të ardhmen palestineze.
Nesrine Malik*
Sot, Sharm el-Sheikh do të presë mbledhjen më të rëndësishme të udhëheqësve botërorë në Lindjen e Mesme gjatë viteve të fundit. Donald Trump, Keir Starmer, Emmanuel Macron, Pedro Sánchez dhe të tjerë po takohen “për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, për të forcuar përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme dhe për të hapur një epokë të re sigurie dhe stabiliteti rajonal”.
Nëse armëpushimi mbahet, ky formulim është shenjë e së ardhmes: një e ardhme ku nuk ka përballje me të vërtetën, as trajtim të shkaqeve rrënjësore. Vetëm një ngutje drejt pastrimit dhe rregullimeve teknike. Ndërkohë, pushtimi i paligjshëm vazhdon, dhe një tjetër kapitull i shkeljeve të Izraelit mbyllet fshehurazi, pa llogaridhënie – jo vetëm për Izraelin, por edhe për sponsorët e tij.
Ka një shprehje arabe, hameeha harameeha – që do të thotë “mbrojtësi i saj është hajduti i saj” – që të vjen në mend ndërsa ata që i kanë furnizuar Izraelit armë mblidhen për të folur për paqen në Gaza. Në javët dhe muajt në vijim, një Gaza edhe më e shkatërruar se ajo që i është treguar botës deri tani do të dalë në pah. Tashmë është bërë e qartë përmasa kolosale e rindërtimit që kërkohet. Njerëzit po kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës, për të gjetur një shkretëtirë të rrafshuar deri në horizont nga bombat dhe buldozerët. Në pamjet e zonës, edhe drita e diellit duket ndryshe, e jashtëtokësore. Nuk e kuptoja pse, derisa realizova se nuk kishte më struktura që ta filtronin atë – as hije, as hijëzime. Një “shtëpi” e rikthyer nuk është më shumë se një truall ku mund të ngresh një tjetër tendë dhe të presësh ndihma. Por këtë herë, me më pak rrezik të bombardohesh në gjumë.
Njerëzit në Gaza janë çliruar nga frika e vdekjes, por çfarë jete i pret ata tani? Çfarë ndodh me mijëra jetimë, me fëmijët e plagosur e të gjymtuar që s’kanë më familje? Nuk është shkatërruar vetëm infrastruktura e pjesëve të mëdha të Gazës – është shkatërruar edhe indi shoqëror. Linja familjare dy, tre, katër brezash janë fshirë nga faqja e dheut. Çfarë ndodh me prindërit që kanë varrosur fëmijët e tyre? Apo me ata që kanë mbledhur copat e trupave të të dashurve të tyre? Si mund të fillojë trajtimi i një traume të tillë masive kur nuk ka as çati për t’u mbledhur poshtë saj? Pyeta një burrë nga Gaza për vëllain e tij, i cili kishte humbur të gjithë fëmijët dhe gruan në një bombardim. Ku është tani? “Vetëm endet pa pushim, rreth e qark rrënojave”, më tha. “I humbur.”
Bilanci i të vdekurve me siguri do të rritet, ndërsa trupat që nuk kanë mundur të nxirren më parë po gjenden nën rrënoja. Të paktën 10% e popullsisë së Gazës është vrarë ose plagosur – dhe ky është një vlerësim i kujdesshëm.
Është e rëndësishme që këto fakte të mos llogariten thjesht si “kosto lufte” për t’u harruar më pas. Sulmi duhet të marrë fund, por kushtet mbi të cilat përfundon dhe mbi të cilat ndërtohet paqja dhe rindërtimi janë thelbësore. Krimet e kryera nuk mund të shlyhen – dhe as të parandalohet përsëritja e tyre – nëse mbeten të njëjtat kushte që i bënë të mundura.
Është e vështirë ta kërkosh këtë kur ke të bësh me një gjenocid. Përmasat e vrasjeve dhe dhunës, zhdukja e vetë kushteve të jetës, e bëjnë ndalimin e kësaj zhdukjeje urgjencën e vetme. Por bashkë me këtë vjen edhe pastrimi nga faji – dhe më keq akoma. Donald Trump tashmë po bën xhiron e triumfit për “paqen”, pas muajsh që ndihmoi atë që ndodhi. Jared Kushner lavdëroi sjelljen e Izraelit: “Në vend që të përsërisnit barbarinë e armikut, zgjodhët të ishit të jashtëzakonshëm.” Starmer lartësoi Trumpin për sigurimin e marrëveshjes dhe u përqendrua në rëndësinë e lejimit të ndihmës humanitare. Zyra e tij tha se do të bëjë “një homazh të veçantë” për presidentin amerikan në Sharm el-Sheikh. Dhe kështu kemi një krim pa kriminelë, një gjenocid pa gjenocidarë, një popullatë të dërrmuar që, sipas tyre, është rrënuar nga Hamasi – dhe që tani duhet ushqyer e ujitur ndërsa bota mendon ç’të bëjë me të. Një histori e tërë izraelite e pandëshkueshmërisë dhe sundimit mbi Palestinën – me spastrime etnike të përsëritura, pushtim ushtarak, zgjerim kolonish dhe mohimin e vetëvendosjes palestineze – fshihet sërish.
Këtë herë, kjo amnisti, kjo paraqitje e tragjedisë si diçka “tashmë e mbyllur”, është edhe më e ngutshme, sepse përgjegjësia e vendeve që e kanë mbështetur Izraelin dhe kanë heshtur ndaj kritikëve të tij është më e qartë se kurrë. Sigurisht që do të nxitoheshe për në Sharm el-Sheikh nëse përfaqëson një qeveri që ka furnizuar armë, ka kufizuar protestat dhe ka refuzuar të njohë deklaratat për gjenocid apo të respektojë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare kur ajo lëshoi urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun. “Paqja në Gaza” për ta është një mundësi për të harruar; për të fshirë nga ndërgjegjja kolektive një epokë në të cilën disa vende perëndimore shkelën normat dhe institucionet ndërkombëtare – madje edhe politikën e tyre të brendshme – për të përkrahur shkatërrimin e Gazës.
Por shumë njerëz anembanë botës që panë masakrën dhe gjithçka që e mbajti në këmbë për dy vjet rresht, nuk do ta harrojnë aq lehtë. E ardhmja e sigurt e njerëzve në Gaza – dhe në Palestinë në përgjithësi – nuk mund të vijë nga hajdutët që janë bërë “mbrojtës”. Pa fuqizimin dhe vetëvendosjen e popullit palestinez, nuk mund të ketë besim apo shpresë që Izraeli dhe aleatët e tij të sjellin “paqen e qëndrueshme” që aq shpesh predikojnë. Vrasjet përkohësisht janë ndalur në Gaza, por tani duhet refuzuar normalizimi i asaj që do të vijë – një kthim në status quo-në ku të gjithë pretendojmë se jeta palestineze është e mundshme nën autoritetin izraelit.
Palestinezët do të vazhdojnë të vriten, shtëpitë e tyre do të grabiten, të burgosurit do të torturohen e mbahen pa gjyq. Ajo që është mësuar gjatë dy viteve të fundit nuk mund të çmësohet, pavarësisht energjisë që do të shpenzohet për ta bërë këtë. Kauza palestineze nuk mund të kthehet më në periferi të politikës si “çështje komplekse”, një kornizë që ka lejuar këtë shkatërrim dyvjeçar. Ata që e kanë shkaktuar këtë katastrofë e kanë humbur prej kohësh çdo mandat mbi popullin që kanë ndihmuar ta vrasin e ta shkatërrojnë. Ajo që do të zbulohet tani, në bilancin e viktimave dhe rrënojave në Gaza, duhet ta bëjë të pamundur mohimin e kësaj të vërtete.
Ndërsa liderët botërorë zbresin në Sharm el-Sheikh, një varg nga Gerontion i T. S. Eliot qëndron pezull mbi ta: “Pas një dijeje të tillë, çfarë faljeje mund të ketë?”
*Nesrine Malik është kolumniste e “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
