Gjatë një vizite në Kinë, Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi se bashkimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës është jetik për mbeshtatejen e Ukrainës dhe përpjekjet për paqe.
“Uniteti mes amerikanëve dhe europianëve për çështjen e Ukrainës është thelbësor. Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet për paqe që po bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të kanë nevojë për europianët që të udhëheqin këto përpjekje për paqe. Dhe vetëm përmes këtij partneriteti do të jemi efektivë,” theksoi Macron.
Macron bëri thirrje që të shmangen përcarjet brenda Europës ose mes saj dhe Uashingtonit, duke theksuar se suksesi i çdo procesi paqeje varet nga bashkëpunimi i ngushtë transatlantik.
“Ka një anë që qëndron për paqen. Kjo anë për paqen përfshin Ukrainën, europianët, amerikanët dhe të gjithë aleatët. Dhe ka një vend që po zhvillon luftë dhe refuzon paqen. Ky vend është Rusia. Kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara për të arritur paqe. Dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për ne që kjo paqe të jetë e qëndrueshme,” theksoi presidendi francez, Emmanuel Macron.
Deklaratat e Macron vijnë pasi revista gjermane Spiegel publikoi një transkriptim te një bisede konfidenciale, ku ai dhe kancelari gjerman shfaqnin skepticizëm ndaj përpjekjeve të SHBA për të negociuar një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë./mxh
