Last Updated on 12/09/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në shtatorin e vitit 490 p.e.s., Perandoria Persiane e mbretit Darius I nisi një ekspeditë ndëshkimore kundër Athinës dhe Eretria-s, për shkak se këto qytet-shtete greke kishin mbështetur revoltën joniane kundër Persisë. Flota persiane, e përbërë nga rreth 600 anije dhe dhjetëra mijëra trupa, u ankorua në Fushën e Maratonës, rreth 40 km larg Athinës.
Athinasit, të udhëhequr nga strategu Miltiadi, mobilizuan rreth 10 mijë hoplitë (ushtarë të rëndë këmbësorë) dhe kërkuan ndihmë nga Spartasit. Por për arsye fetare (festivali i Karnejave), Sparta nuk mundi të nisej menjëherë. Kështu, Athina mbeti pothuajse e vetme, duke marrë vetëm mbështetjen e 1 mijë hoplitëve nga Plataea.
Beteja shpërtheu kur Miltiadi vendosi të sulmonte i pari, duke e ditur se vonesa do t’i jepte kohë persëve të marshonin drejt Athinës së pambrojtur. Strategjia e tij ishte gjeniale: ai dobësoi qëllimisht qendrën e ushtrisë greke dhe forcoi krahët, duke krijuar një formacion që rrethoi persët nga të dyja anët. Rezultati ishte katastrofik për persët – mijëra prej tyre u vranë ose u mbytën në det, ndërsa humbjet greke ishin minimale. Sipas Herodotit: 192 athinas dhe 11 plataeas.
Pas fitores, një lajmëtar, shpesh i quajtur Filipidi – ose Fidipidi sipas disa burimeve – vrapoi pa u ndalur nga Maratona deri në Athinë, për të lajmëruar: “Gëzoni, fituam!”. Sapo dha lajmin, ai ra i vdekur nga lodhja. Ky episod legjendar u bë frymëzim për garën moderne të Maratonës, e cila sot është 42.195 km.
Poezia e Fan Nolit “Rent, or Marathonomak”
Fitorja e Athinës kishte rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo tregoi se perandoria e fuqishme persiane mund të mposhtej. Ruajti pavarësinë e Athinës dhe e lejoi atë të zhvillonte më tej demokracinë e saj. U bë simbol i rezistencës së një populli të vogël kundër një perandorie gjigante, duke hyrë në mitologjinë politike e letrare të botës.
Fan Noli, i frymëzuar nga heroizmi i betejës së Maratonës dhe lidhja e saj me idealet e lirisë, shkroi poezinë e njohur “Rent, or Marathonomak”. Në të, Noli i drejtohet figurës së luftëtarit athinas që sakrifikon jetën për atdheun, duke e parë si simbol të pavdekësisë së heroit.
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi’ e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent , or Marathonomak!
Poema shpreh me vargje të fuqishme dramatikën e betejës, lodhjen titanike të vrapimit dhe aktin sublim të lajmëtarit që bie i vdekur sapo dorëzon fitoren. Në to përzihen, heroizmi klasik grek si frymëzues i lirisë. Paralelizmi me shqiptarët, që sipas Nolit duhet të mësojnë nga shembulli i Maratonës se liria fitohet me sakrifica. Universalizmi i sakrificës, ku heroi individual përfaqëson gjithë kombin.
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon përdhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumf lajmëtari
Flamur -gjak,
Kuqo, Marathonomak!
Ky krijim i Nolit nuk është thjesht një rikrijim historik, por një alegori kombëtare, e shkruar për të zgjuar ndërgjegjen shqiptare në fillim të shekullit XX.
Ja, arrive, ua the:
Ç’ gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!” brohorite
Dhe për tokë u- përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
vdiqe or Marathonomak.
Kjo poezi e Nolit, e ngjeshur dhe dramatike, bart një mesazh të fuqishëm patriotik: si Marathonomaku sakrifikoi për Athinën, ashtu edhe shqiptarët duhet të ishin gati të jepnin jetën për lirinë e vendit.
Rent kudo, duke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Mrathonomak!
Poezia e Fan Nolit “Rent, or Marathonomak” ka pasur një rol të veçantë në jetën kulturore shqiptare, sidomos në fushën e artit dramatik. Për dekada me radhë, ajo ka qenë një nga tekstet e detyrueshme që pretendentët duhej të interpretonin kur konkurronin për në shkollën e aktrimit dhe artit skenik.
