Last Updated on 21/10/2025 by MB
Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy mbahet në një qeli prej vetëm 9 metrash katrorë, e cila përmban një krevat, një zyrë të vogël, një dush, tualet, një dritare dhe televizor, për të cilin paguan 14 euro në muaj. Në qeli ka edhe një sobë elektrike, ndërsa ish-presidenti ka akses në palestër dhe bibliotekë.
Në këtë hapësirë të kufizuar, Sarkozy thuhet se ka vendosur dhjetë fotografi personale në muret e qelisë, duke e dekoruar ambientin sipas mundësive që i jepen.
Pjesa e burgut ku mbahet quhet “VIP” dhe ka strehuar në të kaluarën të burgosur famëkeqë, si Carlos Çakalli.
Sipas gazetës franceze Le Figaro, Sarkozy ka marrë me vete tre libra, numrin maksimal të lejuar për të burgosurit. Në këtë listë përfshihen dy vëllimet e “Kontit Monte Kristo” nga Alexandre Dumas dhe “Biografia e Jezusit” nga Zhan-Kristian Petitfil.
Zgjedhja e “Monte Kristos” nuk është rastësi, protagonisti Edmond Dantes është i burgosur padrejtësisht dhe planifikon hakmarrjen e tij, një vepër simbolike për ata që besojnë se janë dënuar padrejtësisht. Sarkozy, i cili vazhdon të kundërshtojë fajësinë e tij, duket se ndjen një paralelizëm të qartë me këtë histori.
Ai ka depozituar tashmë kërkesën për lirimin me kusht, por gjyqtarët mund të marrin deri në dy muaj për ta shqyrtuar atë. Deri atëherë, pritet që Sarkozy të kalojë kohën duke shkruar një libër të ri, siç ka deklaruar vetë.
Burgut La Santé, që funksionon që nga shekulli i 19-të, i është njohur statusi i një prej institucioneve më të rrepta të drejtësisë në Francë, duke strehuar të burgosur me profil të lartë dhe duke siguruar kushte të rrepta sigurie. m.p.