Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi sot se ka zgjidhur problematikën me Italinë, për importin e verës nga kantinat e vogla, deri në 10 mijë hektolitra, të cilat përfitojnë diferencim akcize.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Italiane ka informuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare se, sa i përket propozimit për zgjidhjen e situatës aktuale të bllokimit që po prek importet e verës nga Italia në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin italian në fuqi — veçanërisht nenin 48 të Dekretit Legjislativ nr. 82/2005 (“Kodi i Administratës Digjitale”) — Posta Elektronike e Certifikuar (PEC) ka vlerë juridike për identifikimin e dërguesit dhe marrësit të dokumentit.
Në këtë rast, ajo përfaqëson ekuivalentin e një letre të regjistruar me kthim përgjigjeje, të dërguar nga Ministria e Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pyjeve (MASAF) drejt kantinave të verës të interesuara për përfitimin e reduktimit të akcizës, në bazë të legjislacionit shqiptar në fuqi.
Nga pikëpamja juridike, Posta Elektronike e Certifikuar (PEC) funksionon si një letër e regjistruar me kthim përgjigjeje, duke garantuar vlerë ligjore si për dërgimin, ashtu edhe për marrjen e dokumentit. Sistemi certifikon datën dhe orën e dërgimit e të dorëzimit, si dhe integritetin e mesazhit, përmes një “zarfi transporti” virtual të firmosur elektronikisht, duke e bërë komunikimin të pakundërshtueshëm ndaj palëve të treta.
Për arsyet e mësipërme, pala italiane sqaron se, nga pikëpamja tekniko-vepruese, mesazhet PEC nuk mund të jenë objekt i një nënshkrimi digjital shtesë.
Dogana Shqiptare ftoi sot të gjithë importuesit të vijojnë importet sipas njoftimit të mësipërm./monitor.al-A.D
