Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Drejtori i përgjithshëm i BBC- së britanike, Tim Davie dhe drejtoresha ekzekutive e lajmeve, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen pas kritikave për mungesë paanësie.
“Ky është tërësisht vendimi im dhe i mbetem shumë mirënjohës Kryetarit dhe Bordit për mbështetjen e tyre të palëkundur gjatë gjithë mandatit tim”, tha Davie në një deklaratë.
Dorëheqja e tyre erdhi pasi “The Telegraph” publikoi një raport, i cili rendiste një sërë gabimesh të BBC-së.
Një nga shembujt që ka shkaktuar polemika është mënyra se si BBC-ja ka montuar një fjalim të presidentit amerikan, Donald Trump, duke krijuar përshtypjen se media mund të ketë manipuluar ose ndryshuar kuptimin e tij përmes përzgjedhjes së pjesëve të fjalimit.
Në këtë fjalim të vitit 2021, Trump dukej sikur po inkurajonte trazirat në Capitol Hill, gjë e cila u mohua rreptësisht nga administrata e tij.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i mirëpriti largimet, duke i konsideruar si njerëz të pandershëm.
Me anë të një postimi në Truth Social, Trump falënderoi “The Telegraph” për zbulimin e këtyre gazetarëve, që ai i quajti të korruptuar.
Së fundmi BBC është kritikuar vazhdimisht për mosruajtjen e neutralitetit gjatë publikimit të lajmeve. Kritikët përmendin dështimin e medias britanike në raportimin e luftës Izrael-Hamas, çështjet transgjinore dhe fjalimet e Donald Trump./M.XH

