Last Updated on 25/09/2025 by adminfjala
Nga Martin Kettle
Të përpiqesh të zbërthesh “Donald Trump-in e vërtetë” është një lojë e kotë. Disa mund të kenë bindur veten se ai i vërteti ishte ai që pamë në Windsor një javë më parë: duke u treguar i përulur para familjes mbretërore, duke trajtuar Keir Starmer-in me respekt, e duke thënë se Britania dhe SHBA-ja ishin si dy nota të të njëjtit akord. Ndoshta.
Por ndoshta versioni më bindës ishte ai që shfaqet këtë javë në Kombet e Bashkuara. Ky Trump nuk shkoi për t’u përulur, por për t’u mburrur dhe për të shkatërruar, duke u ankuar për gjithçka – nga dështimi i OKB-së për të mbështetur pretendimin e tij se kishte mbyllur shtatë “lufta të pambyllshme”, deri te refuzimi për t’i dhënë një kontratë ndërtimi për rikonstruksionin e selisë në Nju Jork. “Unë thashë atëherë se do ta bëja për 500 milionë dollarë, do ta rindërtoja gjithçka, do të ishte e bukur”, tha ai.
Kush është Trump-i i vërtetë?
Ndoshta nuk ka një version të vetëm që i bën kuptim gjithë kontradiktave të tij. Për të qenë të drejtë, as ai nuk është i vetmi. Që në shekullin e 16-të, Michel de Montaigne shkroi se tek çdo njeri gjenden kontradikta të panumërta. Askund nuk duket kjo më e vërtetë se tek Trump.
Një çelës ndihmues është krahasimi me Otto von Bismarck-un. Ashtu si themeluesi i Gjermanisë moderne, Trump di të jetë njëkohësisht joshës dhe brutal, i llogaritur dhe i tërbuar, dominues në çdo ambient, hakmarrës ndaj kritikëve dhe gënjeshtar i paskrupullt për të arritur qëllimet e tij. Pasojat e Bismarck-ut ishin shumë më të mëdha, por paralelet e tyre janë shqetësuese.
Një kthesë e papritur për Ukrainën
Të martën, Trump bëri një kthesë dramatike në qëndrimin e tij për Ukrainën. Nga entuziazmi për një marrëveshje paqeje me Putinin, ai kaloi në mbështetje të rrëzimit të avionëve rusë që shkelin hapësirën ajrore europiane. Ai hodhi poshtë Rusinë si “tiger prej letre”, dhe deklaroi se Ukraina mund të rifitojë gjithë territorin e humbur pas vitit 2022. “Putin dhe Rusia janë në telashe të MËDHA ekonomike, dhe tani është koha për Ukrainën të veprojë,” postoi më vonë.
Trump madje premtoi “të furnizojë armë për NATO-n, që NATO të bëjë ç’të dojë me to”. Nëse kjo del e vërtetë, do të ishte një ndryshim i madh, duke pasur parasysh debatet e zgjatura mes NATO-s dhe Uashingtonit. Po ashtu, nëse Volodymyr Zelenskyy ka të drejtë se Trump po ofron garanci ushtarake pas-luftës për Ukrainën, atëherë fjala nuk është thjesht për retorikë.
Një tymnajë apo sinjal serioz?
Ka nga ata që mendojnë se fjalimi ishte thjesht tymnajë për audiencën izolacioniste amerikane. Ndërkohë, jashtë kamerave, takimet e tij në Nju Jork me Zelenskyy-n dhe me liderë arabë e myslimanë sugjerojnë lëvizje më të rëndësishme për Gazën dhe Ukrainën.
Por do të ishte gabim të shihej si manovër e thjeshtë. Përtej gënjeshtrave të zakonshme (nga “luftërat e pambyllshme” tek akuzat ndaj Sadiq Khan për sheriatin në Londër), përtej vetëmburrjes së zakonshme (“Unë jam i mirë në këtë punë. Vendet tuaja po shkojnë në ferr”), fjalimi kishte një tezë të qartë: SHBA-ja nuk do ta ushtrojë fuqinë e saj përmes OKB-së, por në mënyrë të njëanshme, si një fuqi sovrane e pavarur. “Në OKB, Presidenti Trump mbron sovranitetin, refuzon globalizmin,” tha komunikata e Shtëpisë së Bardhë.
Mesazhi për Britaninë
Por pjesa më tronditëse ishte sulmi i pandërprerë ndaj Britanisë. Trump u tregua më i ashpër ndaj Londrës sesa ndaj Kinës, Rusisë, Venezuelës apo Koresë së Veriut. Ai akuzoi Britaninë për çështjet e migracionit, ligjit ndërkombëtar, energjisë së rinovueshme, naftës së Detit të Veriut dhe njohjes së Palestinës. Dhe kjo ndodhi më pak se një javë pas vizitës së tij shtetërore.
Në fund, fjalimi nuk ishte thjesht një spektakël narcisizmi. Ai tregoi dy prioritetet që Trump ka shndërruar në fiksime: luftën kundër migracionit dhe kundërshtimin e agjendës së gjelbër. Këto nuk janë kapriço kalimtare, por do të mbeten boshti i politikës së tij – me pasoja që mund të ndihen në politikën evropiane, por mbi të gjitha në atë britanike, për shkak të lidhjes së veçantë mes dy vendeve.
Fjalimi në OKB ishte një sinjal i qartë: Trump e sheh Britaninë jo si aleat të përjetshëm, por si një kundërshtar të papritur.
Burimi: theguarduan.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
