Franca akuzon SHBA-në për shkelje të ligjit ndërkombëtar me operacionet e saj ushtarake kundër anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe. Kolumbia ndaloi shkëmbimin e inteligjencës në shenjë proteste.
Franca ka kritikuar operacionet ushtarake amerikane në Karaibe si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot tha të martën (11.11.) në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Kanada se Franca i ndjek ato me shqetësim. Në territoret franceze jashtë Francës, në Karaibe, jetojnë më shumë se një milion qytetarë francezë. Këta qytetarë mund të cënohen, nëse situata përshkallëzohet.
Sipas ushtrisë amerikane, deri më tani janë kryer të paktën 19 sulme ndaj anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe dhe pranë brigjeve të Paqësorit të Amerikës Latine, duke vrarë të paktën 76 persona. Zyrtarët të SHBA konfirmuan edhe vendosjen e aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford” në rajon. Tetë anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë luftarakë F-35 janë tashmë të stacionuar aty. Presidenti venezuelian Nicolás Maduro akuzon SHBA-në se po përdor forcat ushtarake për të tentuar ta rrëzojë atë nga pushteti. m.p.
