Kompania e veshjeve ultra të lira ka hapur dyqanin e saj të parë të përhershëm në Paris – dhe politikanët, punëtorët e qytetarët janë bashkuar kundër saj.
Nga Nicole Lipman
Parisi, kryeqyteti botëror i modës – një simbol i elegancës, mjeshtërisë dhe traditës shekullore – është përfshirë nga një furtunë e re: ajo e modës së shpejtë. Më 5 nëntor, kompania Shein hapi një dyqan të madh në katin e gjashtë të BHV Marais, përballë Bashkisë së Parisit. Ky është dyqani i parë i përhershëm fizik i gjigantit të “ultra fast fashion”-it me bazë në Singapor, dhe vetëm i pari nga disa të tillë që kompania planifikon të hapë në Francë. Por shumë parizienë nuk e kanë pritur mirë këtë zhvillim.
Shein – themeluar në vitin 2011 në Nanjing të Kinës me emrin SheInside – është bërë simboli më i qartë i industrisë së modës së shpejtë. Ajo shet rroba, sende shtëpiake, lodra, enë kuzhine e madje edhe pajisje për kafshë shtëpiake, në një shkallë të pabesueshme: vetëm faqja “produkte të reja” përditësohet me mbi 1,300 artikuj të rinj. Pothuajse gjithçka është plastike, e krijuar për përdorim të vetëm dhe me çmime qesharakisht të ulëta.
Por pas këtyre çmimeve fshihet një sfidë e drejtpërdrejtë për industrinë franceze të modës dhe për tregun e punës. Qeveria franceze e ka pasur në shënjestër Shein prej vitesh. Në vitin 2023, pas kërkesës së dy deputetëve francezë, OECD-ja hapi një hetim mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, të punës dhe të mjedisit nga kompania. Hetimi përfundoi në vitin 2025 duke konstatuar se Shein nuk kishte përmbushur standardet ndërkombëtare të OECD-së – pretendime që kompania i mohoi.
Në vitin 2024, Dhoma e Ulët e Parlamentit miratoi një ligj që dënonte kompanitë e modës së shpejtë për ndotje mjedisore, ndërsa në qershor të këtij viti Senati miratoi një version të ri të ligjit që përmendte në mënyrë të drejtpërdrejtë Shein si një nga shkelësit më të mëdhenj. Vetëm tre muajt e fundit, Franca e ka gjobitur kompaninë me pothuajse 200 milionë euro për mashtrime tregtare dhe reklama të rreme – gjoba që Shein i ka kundërshtuar.
Por goditja më e fortë erdhi javën e kaluar, kur kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi bllokimin e përkohshëm të tregtisë online të Shein, pasi në faqen e saj ishin zbuluar produkte të papranueshme: lodra seksuale me pamje fëmijësh dhe armë të improvizuara. Qeveria ndaloi të gjitha dërgesat e Shein dhe kontrolloi mbi 200 mijë pako në doganë. Dërgesat u lejuan sërish vetëm pasi kompania hoqi produktet problematike. Kryeministri paralajmëroi se “Shein do të mbetet nën vëzhgim të rreptë nga shërbimet e shtetit.”
Për Francën, prania e Shein nuk është vetëm sfidë ekonomike, por edhe fyerje kulturore. Shein bie ndesh me vlerat që francezët i konsiderojnë themelore: artizanatin, qëndrueshmërinë dhe elegancën. Punonjësit e BHV Marais, me mbështetjen e sindikatave të mëdha, kanë zhvilluar protesta dhe greva, ndërsa disa marka të pavarura kanë tërhequr produktet e tyre nga qendra tregtare. Mbi 100 mijë qytetarë kanë firmosur një peticion kundër pranisë së Shein në Paris. Ditën e hapjes, protestuesit u nxorën me forcë nga policia, ndërsa jashtë dyqanit qindra të tjerë prisnin në radhë për të hyrë dhe për të blerë rroba të lira.
Këtu qëndron paradoksi i madh: ndërsa Shein përballet me protesta e gjoba, klientët vazhdojnë të blejnë në masë. Shein është tashmë shitësi i pestë më i madh i veshjeve në Francë, falë çmimeve të pamposhtura. Por pas atyre çmimeve qëndrojnë kosto të mëdha – mjedisore, shoqërore dhe njerëzore. Punëtorë të paguar me qindarka prodhojnë pa pushim në fabrika të mbingarkuara; dizajnerë të pavarur denoncojnë vjedhjen e ideve të tyre; ndërsa kultura e konsumit të menjëhershëm ushqen bindjen se veshjet janë të përkohshme e pa vlerë.
Prandaj, qasja franceze – kombinimi i masave ligjore me presionin publik – po shihet si një model që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera. Sa më shumë të kufizohet blerja nga kompani si Shein, aq më shumë dobësohet fuqia e “modës së shpejtë”. Dhe kur blerja nga to të bëhet moralisht e turpshme, konsumatorët do të distancohen vetë.
Megjithatë, beteja ndaj modës së shpejtë mbetet një luftë e gjatë. Për ta fituar atë, duhet të ndryshojmë mënyrën si mendojmë për rrobat: t’i duam ato që kemi, të blejmë të përdorura, të riparojmë në vend që t’i hedhim, dhe të kërkojmë kushte më të drejta për punëtorët e tekstileve në mbarë botën.
Rezistenca që po vjen nga Franca është një shenjë shprese – një shembull i fuqisë që mund të ketë bashkimi midis qytetarëve, punëtorëve dhe politikës përballë një industrie që e ka kthyer modën në mall të konsumit të shpejtë. Një botë më e drejtë – dhe një veshje më e mirë – janë ende të mundshme.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
