Planet për të rivendosur shërbimin ushtarak në Gjermani janë futur në kaos për shkak të një debati midis partive në pushtet. Një kompromis, i cili pritej të përfshinte mundësinë e një rekrutimi të detyrueshëm, është rrëzuar.
Kancelari Friedrich Merz ka thënë se dëshiron që Gjermania të ketë ushtrinë konvencionale më të fortë në Evropë. Por të martën në mbrëmje, një konferencë për shtyp për të njoftuar propozimet u anulua papritur, përpara se një projektligj të dilte në parlament të enjten. Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius ka mohuar akuzat për pezullim të planeve.
Pavarësisht se është ekonomia më e madhe e BE-së, ushtria e Gjermanisë është financuar dobët për dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Berlini tani po nxiton të rrisë shpenzimet dhe personelin, me paralajmërime se anëtarët e aleancës perëndimore të NATO-s duhet të përgatiten për një sulm të mundshëm rus brenda katër viteve. Megjithatë, shërbimi ushtarak mbetet një çështje politikisht e ndjeshme.
Sipas planeve të shpallura këtë verë, 18-vjeçarëve do t’u kërkohet të plotësojnë një pyetësor online në lidhje me prejardhjen e tyre dhe gatishmërinë për të shërbyer për të paktën gjashtë muaj.
Plotësimi i pyetësorit do të jetë i detyrueshëm për burrat, por opsional për gratë. Qeveria, e përbërë nga CDU/CSU konservatore e Merz dhe SPD Socialdemokrate e qendrës së majtë, ranë dakord në traktatin e tyre të koalicionit për të rivendosur shërbimin ushtarak i cili do të ishte vullnetar “që në fillim”.
Megjithatë, politikanët e CDU-së – përfshirë kancelarin Merz kanë shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime se një sistem thjesht vullnetar nuk do të jetë i mjaftueshëm. Këtë javë, negociatorët nga të dy partitë e koalicionit arritën një kompromis të ndërlikuar i cili, sipas mediave gjermane, do të kishte përfshirë një proces shumëfazor. m.p.
