Last Updated on 10/08/2025 by adminfjala
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.
“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.
“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.
“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo. m.p.
