Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández, nuk do të kthehet menjëherë në vendin e tij pas lirimit nga burgu në Shtetet e Bashkuara, pasi mori një amnisti nga Presidenti Donald Trump, tha të mërkurën bashkëshortja e tij për Reuters.
Hernández, i cili udhëhoqi vendin e varfër të Amerikës Qendrore për dy mandate radhazi nga 2014 deri në 2022, u lirua të hënën nga burgu Hazelton në shtetin e West Virginia. Trump nënshkroi amnistinë pothuajse katër vjet pas arrestimit të tij në Tegucigalpa, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij, dhe pas ekstradimit në SHBA për akuza të trafikut të drogës dhe armëve.
Megjithëse mbrojti pafajësinë e burrit të saj, bashkëshortja Garcia, e cila doli e dyta në primaret presidenciale për Partinë Kombëtare të Hernández para zgjedhjeve të së dielës, theksoi se nëse do të hapet ndonjë çështje penale kundër tij në Honduras, ata do ta përballonin pa ikur nga vendi.
Të mërkurën pasdite, rezultatet paraprake të zgjedhjeve presidenciale të së dielës dhanë një avantazh të lehtë kandidatit të Partisë Liberale mbi kandidatin e Partisë Kombëtare të Hernández, me 22% të fletëve të votimit ende për t’u numëruar.
Në mars 2024, një jurie në Manhattan e shpalli Hernández fajtor për pranimin e miliona dollarëve ryshfet për të mbrojtur dërgesat e kokainës drejt SHBA, nga trafikantë që ai dikur pretendonte publikisht se po luftonte.
Ish-presidenti, një avokat 57-vjeçar, ishte dënuar në qershor të vitit të kaluar me 45 vite burg. Në gjykimin për dënimin, Hernández tha se ishte viktimë e trafikantëve të drogës që dëshmuan kundër tij pasi ai ndihmoi në ekstradimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara.
Amnistia për Hernández është kritikuar nga ata që thonë se ajo ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të së dielës, duke favorizuar kandidatin kombëtarist, Nasry Asfura, për të cilin Trump bëri thirrje që qytetarët të votonin./mxh
