Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan shkatërrimin e një tuneli të Hamasit, rreth 1 kilometër i gjatë, në zonën e Beit Hanounit, në veri të Gazës. Sipas ushtrisë izraelite, tuneli ishte përdorur për sulmin e dhjetorit 2024, ku humbën jetën tre ushtarë të rinj: Ilai Gabriel Atedji, 22 vjeç, Hillel Diner, 21 vjeç, dhe Netanel Pesach, 21 vjeç.
IDF thekson se operacioni u krye nga Batalioni “Shimshon”, i cili prej javësh operon në zonën e Beit Hanounit, në anën izraelite të të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, me qëllim shkatërrimin e infrastrukturës mbetur të Hamasit. Tuneli i neutralizuar ndodhej dhjetëra metra nën tokë dhe konsiderohet pjesë kyçe e rrjetit të tunelave të përdorur për sulme ndaj Izraelit.
Operacioni vlerësohet si një hap i rëndësishëm për të parandaluar kërcënimet e ardhshme nga organizata palestineze dhe për të forcuar sigurinë në rajon./MXH
