Last Updated on 11/09/2025 by adminfjala
Pavarësisht gjuhës ndëshkuese nga bota dhe paralajmërimeve nga Katari, Izraeli nuk ndalet. Kryeministri Benjamin Netanjahu e krahason 7 tetorin kur sulmoi Hamasi me 11 shtatorin, ditën atentatit terrorist të Al Kaedës në zemër të Shteteve të Bashkuara, ndërsa shton se ashtu si Uashingtoni që luftoi për sigurinë e tij, edhe Tel Avivi po bën të njëjtën gjë.
“Në po u shkojmë pas terroristëve që kryen masakrën e 7 tetorit. Ne sulmuam në Katar, pasi është një shtet i cili u mundëson atyre: qëndrim të sigurtë, strehon terroristët, financon Hamasin, u jep shefave të terrorit vila luksoze, pra u jep gjithçka atyre. I them Katarit dhe të gjitha shteteve që strehojnë terroristët: dëbojini ata, ose nxirrini para drejtësisë. Pasi nëse nuk e bëni ju, ne do ta bëjmë”, tha Netanjahu.
Ndërkohë, Izraeli ka urdhëruar të gjithë popullatën në qytetin e Gazës që të largohet nga territori, ndërsa forcat e tij të armatosura po pushtojnë të gjithë pjesën veriore të tokës palestineze, shkruan A2 CNN. Sulmet e ushtrisë kanë shkatërruar disa blloqe pallatesh të larta. IDF konfirmon se tashmë ka pushtuar gjysmën e qytetit të Gazës dhe se po përgatitet që të luftojë atë që kryeministri Netanjahu e quajti “bastionin e fundit të rëndësishëm” të Hamasit./kb
