Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar po i drejtohen inteligjencës artificiale (IA) për të përballuar kërcënimin në rritje të mikrobeve rezistente. Rezistenca antimikrobike, rezistenca në rritje e baktereve ose viruseve ndaj antibiotikëve, vlerësohet se do t’u kushtojë jetën 39 milionë njerëzve deri në vitin 2050.
Në fakt, një në gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator tani janë rezistente ndaj antibiotikëve, sipas të dhënave globale.
Për këto arsye, komuniteti shkencor po i drejtohet inteligjencës artificiale, duke shpresuar të zhvillojë trajtime inovative antimikrobike. Rreth 50 studiues do të marrin pjesë në iniciativën trevjeçare, e cila fillon në fillim të vitit të ardhshëm.
“Rezistenca antimikrobike është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi në mbarë botën. Infeksionet që janë rezistente ndaj trajtimit janë gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar, duke paraqitur një rrezik në rritje për pacientët”,- thanë studiuesit.
Studiuesit do të përqendrohen në një gamë mikrobesh rezistente që Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka identifikuar si patogjenë prioritarë: Aspergillus, bakteret Gram-negative si Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, dhe Staphylococcus aureus, duke përfshirë Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës.
