Kreu i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se është “i sigurt” se përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të sjellin paqe, ndërsa përfaqësuesit amerikanë ndodhen në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne të gjithë po punojmë për të sjellë një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftës ndaj Ukrainës. Ne mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për ta bërë këtë realitet,” tha Rutte për gazetarët.
Ai shtoi se është i bindur se këto përpjekje të qëndrueshme, në fund, do të rikthejnë paqen në Europë.
Shefi i aleancës ushtarake perëndimore tha se Kievi tashmë ka treguar gatishmërinë për të bashkëpunuar me përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump. “Sot do të shihet nëse edhe rusët janë të gatshëm të angazhohen. Kjo tani po testohet,” shtoi ai.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të diskutojnë përpjekjet amerikane për të ndalur luftën në takimin e tyre në Bruksel të mërkurën, megjithëse sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk do të marrë pjesë – një mungesë jashtëzakonisht e rrallë.
Evropa ka mbetur kryesisht jashtë procesit nga Washingtoni, duke nxitur shqetësime mes mbështetësve të Ukrainës se Kievi mund të detyrohet të pranojë një marrëveshje që favorizon Moskën.
Rutte insiston se është në kontakt të ngushtë me Rubion dhe se mungesa e tij nuk duhet të interpretohet ndryshe, pasi ai do të përfaqësohet nga zëvendësi i tij.
Ai gjithashtu nënvizoi se çështjet që lidhen me NATO-n nuk duhet të diskutohen pa përfshirjen e Europës, veçanërisht pas faktit se SHBA-ja duket se ka vënë në tavolinë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës. “Kur bëhet fjalë për elementët e NATO-s në një marrëveshje për të përfunduar luftën ndaj Ukrainës, kjo do të trajtohet veçmas, dhe natyrisht do të përfshijë NATO-n,” tha Rutte.
Ai theksoi se dera mbetet e hapur për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim, por aktualisht “nuk ka konsensus mbi pranimin e Ukrainës në NATO”.
Ndërkohë që SHBA-ja vazhdon përpjekjet e saj, Rutte tha se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të mbështesin Kievin, përfshirë edhe përmes blerjes së armëve amerikane. Ai parashikon njoftime të reja nga aleatët evropianë në takimin e Brukselit për të kontribuar në një skemë blerjeje armësh amerikane për Ukrainën./mxh
