Për Malin e Zi, nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Deklarata u bë nga kryeministri malazez Milojko Spajiç për mediat e huaja.
“Askush nuk po mendon për alternativa. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është ajo që ne synojmë”,-tha ai, duke folur pas Forumit të Zgjerimit të BE-së të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel të martën, më 18 nëntor.
Mali i Zi është më i vogli nga nëntë vendet kandidate të BE-së, me pak më shumë se 620,000 banorë.
Aktualisht është më i përparuari në zbatimin e reformave kushtetuese, gjyqësore dhe ekonomike të kërkuara që Brukseli të konsiderojë një vend gati për t’u bashkuar me BE-në.
Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit për zgjerimin, tha e udhëheqja e tij shpreson se vendi do të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, një qëllim që Mali i Zi është në rrugën e duhur për ta përmbushur.
