Pas grabitjes tronditëse të bizhuterive të kurorës franceze në Muzeun e Luvrit, vëmendja e mediave dhe rrjeteve sociale nuk u përqendrua vetëm te hetimet, por edhe te një figurë e pazakontë që u kap në vendngjarje: një djalosh i veshur me kostum dhe kapele, të cilin interneti e pagëzoi menjëherë si “detektivin francez”.
Në fakt, “misteri” u zgjidh shpejt. Bëhet fjalë për Pedro Elias Garzon Delvaux, një 15-vjeçar nga Rambujeja (Rambouillet), i cili pa e ditur u fotografua nga një fotoreporter i AP ndërsa vizitonte Luvrin me nënën dhe gjyshin e tij në datën 19 tetor, ditën kur muzeu ishte mbyllur për shkak të grabitjes së objekteve të rralla, me vlerë 88 milionë euro.
Fotografia e tij u bë virale në TikTok, ku videon e parë që e përfshinte e panë gati 6 milionë njerëz. “Ishte shumë qesharake”, tregon Pedro për CNN. “U kthyem në Luvër vetëm që të shihnim reagimin e njerëzve. Ndoshta më njohën, por nuk jam i sigurt”.
Ndryshe nga sa menduan shumë përdorues online, veshja e Pedro-s nuk ishte një kostum i improvizuar, por stili i tij i përditshëm. I pasionuar pas historisë, veçanërisht shekullit XX, ai ka pothuajse një vit që adoptuar modën e viteve ’40. Hobi i tij nisi pasi u vesh si Jean Moulin, heroi i Rezistencës Franceze, gjatë karnavaleve, përcjell A2 CNN.
Stili i rafinuar është i rrënjosur në familjen Garzon Delvaux. Nëna e tij, e rritur mes muzeve dhe letërsisë, thotë se bukuria dhe estetika kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së tyre. Familja ka jetuar në disa vende për shkak të punës së babait si diplomat, që i ka dhënë Pedro-s mundësi të mbledhë objekte unike, si ora e tij sovjetike e blerë në Kalkutë dhe rregulluar me pjesë të sjella nga Bullgaria. m.p.
