Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi këtë të hënë një inspektim në Vlorë, për të vlerësuar dhe koordinuar përgatitjet lidhur me reshjet e dendura që priten në zonë.
Salla u takua me prefektët e Vlorës dhe Fierit, drejtorin e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, si dhe me strukturat rajonale të ujitje-kullimit, për të diskutuar detajet e fundit mbi menaxhimin e situatës
“Reshjet me intensitet të lartë kanë nisur në veri dhe priten pas mesnatës edhe në rajonin e Vlorës. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë dhe në krye të detyrës për përballimin e situatës,” shkruan ministri Salla në një postim në rrjetet sociale.
Autoritetet theksojnë se janë marrë të gjitha masat paraprake për të mbrojtur banorët dhe infrastrukturën, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë këtyre ditëve me reshje intensive./ K.M
