Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, i kërkoi drejtorit ekzekutiv të Meta, Mark Zuckerberg, të ndihmonte në financimin e një blerjeje prej 97.4 miliardë dollarësh të OpenAI në fillim të vitit 2025, tregojnë dokumentet e gjykatës, raportuan sot mediat amerikane.
Dokumentet janë pjesë e një padie të ngritur vitin e kaluar midis Musk dhe OpenAI në gjykatën federale në Kaliforni Veriore, raporton CNBC.
Një gjyqtar vendosi së fundmi që OpenAI mund të ngrejë një kundërpadi kundër Musk, i cili së bashku me Sam Altman dhe të tjerë bashkëthemeluan kompaninë si një organizatë jofitimprurëse, të formuar në vitin 2015.
Kur Musk paraqiti propozimin e tij për të blerë OpenAI në shkurt, ai u zemërua nga kompania dhe qëllimi i CEO-s së saj Altman për ta transformuar firmën në një organizatë fitimprurëse, sipas CNBC.
Altman dhe Musk, miq të hershëm, u bënë rivalë të betuar pasi OpenAI u vendos si lider në sferën e IA-së, duke marrë miliarda dollarë fonde nga Microsoft.
Musk, i cili lançoi xAI në vitin 2023 dhe shtyu që ajo të ishte një konkurrente e drejtpërdrejtë e OpenAI, më vonë paditi kompaninë duke pretenduar shkelje të kontratës dhe u përpoq ta pengonte atë të bëhej një firmë fitimprurëse.
Në akuzat nga kundërpadia, kompania OpenAI pretendoi se Musk dhe xAI i shkaktuan dëm, si dhe se ai i “ngacmoi” ata duke filluar mosmarrëveshje dhe sulme në rrjetet sociale dhe në shtyp.
Kompania tha gjithashtu se kur Musk dhe xAI u përpoqën të formonin një konsorcium investitorësh për të financuar blerjen e OpenAI, ata kontaktuan Zuckerberg nëpërmjet një letre qëllimi dhe i kërkuan atij të merrte pjesë në marrëveshje dhe investime të mundshme financimi. m.p.
