Qeveria e Nigerisë ka deklaruar se është e gatshme të mirëpresë ndihmën nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër grupeve të armatosura, për sa kohë që respektohet integriteti i saj territorial, pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me veprime ushtarake në vendin afrikan.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Trump tha se kishte kërkuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes të përgatitej për një ndërhyrje të mundshme të shpejtë në Nigeri, nëse qeveria e vendit “nuk merr masa të ashpra kundër vrasjeve të të krishterëve”.
Duke reaguar ndaj deklaratave të Trump, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Nigerisë, Kimiebi Imomotimi Ebienfa, tha për Al Jazeera të dielën se “nuk ka gjenocid të të krishterëve në Nigeri” dhe se narrativa që vetëm të krishterët janë në shënjestër “nuk është e vërtetë”.
“Nuk jemi krenarë për situatën e sigurisë që po kalojmë, por bazuar në narrativën se vetëm të krishterët janë në shënjestër, jo, kjo nuk qëndron. Nuk ka gjenocid të të krishterëve në Nigeri”, deklaroi Ebienfa.
Zëdhënësja pranoi se vrasje kanë ndodhur në vend, por theksoi se ato nuk janë të kufizuara vetëm tek të krishterët.
“Ne e kemi bërë vazhdimisht të qartë se ka pasur viktima nga komunitete të ndryshme. Këto vrasje nuk janë të sanksionuara nga qeveria nigeriane,” tha ajo.
Ebienfa shtoi se autorët e këtyre sulmeve janë grupe terroriste si Boko Haram, si dhe fraksione të lidhura me al-Kaedën dhe Shtetin Islamik (ISIL), të cilat po përjetësojnë krizën e sigurisë në vend.
“Vrasja e çdo nigeriani në çdo pjesë të vendit është një humbje për kombin,” tha ajo, duke theksuar se qeveria është e përkushtuar të luftojë terrorizmin dhe të rivendosë rendin në rajonet e prekura. m.p.
