Një stuhi e fortë ka përfshirë këtë të shtunë zonën e Gjenoas në Itali, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe probleme serioze në infrastrukturë. Reshjet intensive sollën shembjen e murit rrethues të një parku publik, duke dëmtuar disa automjete të parkuara aty pranë.
Në zonën e portit, një rrymë e fuqishme ere e shoqëruar me një tornado rrëzoi pemë dhe shkaktoi rënien e disa kontejnerëve nga lartësi të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Erërat e forta dëmtuan gjithashtu çatinë e ndërmarrjes bashkiake të pastrimit.
Ekipet e zjarrfikësve, policisë dhe Mbrojtjes Civile janë mobilizuar për menaxhimin e situatës, ndërsa disa banesa në katet përdhese, si edhe disa nënkalime, u përmbytën. Qarkullimi në rrugën Aurelia , një aks i rëndësishëm që lidh Italinë me Francën, është pezulluar për shkak të dëmtimeve.
Sipas meteorologëve, moti i keq pritet të zhvendoset gjatë orëve të ardhshme drejt veriut të Italisë dhe rajonit të Toskanës./MXH
