Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
YouTube ka rënë dakord të paguajë 24.5 milionë dollarë për të zgjidhur një padinë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ngriti në vitin 2021. Padia erdhi pasi platforma kishte pezulluar kanalin e Trump pas sulmit në Kapitol më 6 janar, pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale kundër Joe Biden.
Trump pretendoi se YouTube kishte krijuar një pushtet të madh mbi diskursin publik, duke kontrolluar pjesën më të madhe të tregut dhe aftësinë për të diktuar informacionin që qarkullon. Platforma tha se pezullimi u bë për shkelje të politikave kundër nxitjes së dhunës.
Kjo është pjesë e një serie pagesash miliona dollarëshe nga kompanitë teknologjike ndaj Trump. Meta, kompania mëmë e Facebook, pagoi 25 milionë dollarë në janar, ndërsa X (më parë Twitter) zgjidhi një padi tjetër për 10 milionë dollarë në shkurt.
Sipas marrëveshjes, të ardhurat nga YouTube do të shkojnë për restaurimin e parkut National Mall dhe ndërtimin e sallës së vallëzimit të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa pjesa më e madhe e pagesës nga Meta do të shkojë për fondin e bibliotekës presidenciale të Trump.
Ky zhvillim vjen vetëm një javë pas njoftimit të YouTube se do të lejojë rikthimin e llogarive që dikur ishin ndaluar për përhapje dezinformatash mbi COVID-19 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Platforma theksoi se vlerëson zërat konservatorë dhe fajësoi presionet e administratës së Biden për pezullimet.
