Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë samitit të G20-s në Afrikën e Jugut.
“Shifrat po tregojnë se sanksionet po japin efekt. Pse jo menjëherë? Sepse sanksionet shpesh duhet të adresojnë edhe mënyrat e shmangieve. Vendos sanksionin, shfaqet një hendek, e mbyll atë, dhe kështu me radhë. Procesi vazhdon dhe presioni ndaj Rusisë po vazhdon,” tha von der Leyen.
Ajo theksoi se BE-ja do të vijojë mbështetjen për Kievin: “Ukraina mund të mbështetet tek ne, pasi kjo nuk është vetëm një agresion kundër Ukrainës, por kundër parimeve të Kartës së OKB-së. Është në tokë evropiane dhe ne do ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa duhet.”
Von der Leyen shtoi se 19 paketat e sanksioneve të BE-së po godasin rëndë ekonominë ruse, duke theksuar inflacionin e lartë, rritjen e normave të interesit dhe mbinxehjen e ekonomisë së luftës.
Duke iu referuar një plani të publikuar me 28 pika, ajo tha se çështja do të diskutohet me liderët evropianë dhe ata të G20-s, ndërsa do të kontaktojë edhe presidentin Zelenskyy. “Parimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë: asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën,” theksoi ajo.
Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i pranishëm në samit, nuk komentoi projekt-propozimin e paqes të paraqitur nga administrata Trump përpara takimit./MXH
