Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, shprehu shpresën se liderët e Bashkimit Evropian do të gjejnë zgjidhje për shqetësimet e Belgjikës lidhur me përdorimin e aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Stubb tha se do të takohej me kryeministrin belg Bart de Wever dhe theksoi rëndësinë e solidaritetit evropian, si dhe vazhdimin e mbështetjes financiare për Ukrainën, ndërsa përgatitjet vijojnë për samitin e Këshillit Evropian në dhjetor.
Më herët gjatë ditës, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u dërgoi një letër qeverive të BE-së, duke paraqitur tre opsione për të përmbushur nevojat financiare të Ukrainës, përfshirë një hua të mundshme të garantuar nga asetet e ngrira ruse ose një kombinim të tyre.
Në samitin e muajit të kaluar, liderët e BE-së ranë dakord të mbulojnë nevojat urgjente financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, por nuk miratuan përdorimin e aseteve të ngrira ruse për një hua të madhe për Kievin, për shkak të kundërshtimeve të Belgjikës./MXH
