Nga Mona Eltahawy
“Machismo në Meksikë është aq i kalbur, sa as presidentja nuk është e sigurt,” më tha Caterina Camastra, profesore dhe feministe, kur u takuam këtë javë në Morelia, një qytet në perëndim të kryeqytetit meksikan. Një fjali e shkurtër dhe e saktë, që përmbledh ndjenjat e shumë grave në Meksikë, pas videos që u bë virale ku shihej një burrë i dehur duke i vënë dorën Claudias Sheinbaum, presidentes së parë grua të vendit, ndërsa ajo ecte nga Pallati Kombëtar drejt Ministrisë së Arsimit të hënën.
Sheinbaum, e cila ka ngritur padi kundër autorit të sulmit, tha thuajse të njëjtën gjë në konferencën e saj të përditshme për shtyp të mërkurën:
“Nëse e bëjnë këtë ndaj presidentes, çfarë ndodh me të gjitha gratë e tjera në vend?”
Një moment mësimor për Meksikën
Pozita e saj e paprecedentë e ka shndërruar këtë incident në një rast reflektimi në një vend ku gratë kanë ankuar prej kohësh se ngacmimet seksuale dhe dhuna në rrugë apo në transportin publik janë bërë normë dhe nuk merren seriozisht.
Por kundërshtarët e djathtë të Sheinbaum-it kanë reaguar me dyshim, duke pretenduar se ajo e ka “sajuar” ngacmimin për të shpërqendruar vëmendjen nga vrasja e një kryetari bashkie lokal, Carlos Manzo, kritik i hapur i krimit të organizuar, që kishte kërkuar më shumë mbrojtje nga qeveria.
Shumica e grave meksikane, nga ana tjetër, e dinë mirë se nuk ka nevojë të sajojë kush një akt dhune seksuale — gjysma e tyre e kanë përjetuar vetë në një moment të jetës.
Ndërmjet afërsisë dhe rrezikut
Ashtu si paraardhësi dhe mentori i saj, Andrés Manuel López Obrador, Sheinbaum njihet për daljet e saj në publik, për takimet me njerëzit, për duartrokitjet dhe selfiet. Pikërisht gjatë një prej këtyre daljeve ajo u prek.
“Është një ekuilibër i brishtë midis të qenit e sigurt dhe të qenit afër njerëzve,” më tha sociologia Ishtar Cardona, pedagoge në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, kur u takuam për çaj në shtëpinë e saj në qytetin e Meksikos — të dyja të zemëruara.
Për një presidente grua, kjo është një kujtesë se shpesh nuk mund të fitosh kurrë.
Nëse ajo do të hiqte dorë nga afërsia me njerëzit, do ta akuzonin se është e frikësuar dhe e papërshtatshme për detyrën. Nëse e ruan këtë traditë, pas një sulmi të tillë publik, do ta quajnë të papërgjegjshme.
“Kundërshtarët e saj tashmë thonë se e meritonte,” më treguan si Camastra, ashtu edhe Cardona.
Sipas Cardonës:
“Për njerëzit e rritur në një kulturë ku struktura patriarkale është e normalizuar, një grua si Sheinbaum – shkencëtare, e majtë, e pavarur – përfaqëson gjithçka që burrat ‘macho’, ata të status quo-së, e urrejnë.”
Ajo më tregoi edhe një episod personal: tre vjet më parë, pas një fjalimi të saj, ndërsa turma e njerëzve e përgëzonte, një student u përpoq ta prekte në mënyrë të papërshtatshme.
“Qoftë presidente apo profesore, asnjë pozitë apo pushtet nuk të mbron nga burrat patriarkalë,” tha ajo.
Dhuna seksuale nuk njeh kufij
Ngacmimet seksuale, natyrisht, nuk janë një fenomen vetëm meksikan. Por bisedat me gratë në Meksikë, pas asaj që ndodhi me presidenten e tyre, hapën plagë të vjetra dhe kujtime të shumta.
Kur Cardona më tha se këshillon studentet e saj “të mos mpihen” nëse dikush i prek, i tregova sesi unë vetë, në moshën 15-vjeçare, u ngriva nga frika kur u sulmova seksualisht dy herë gjatë pelegrinazhit në Mekë – një herë madje nga një polic saudit.
Në vitin 2018 nisa fushatën #MosqueMeToo, e cila u përhap në mbarë botën dhe ku shumë gra myslimane ndanë përvojat e tyre me dhunën seksuale në vende të shenjta.
Kur më rrëfeu se kishte goditur me grusht disa nga burrat që e kishin ngacmuar në rrugë, i tregova sesi në moshën 50-vjeçare rraha një burrë që më kapi në një klub nate në Montreal të Kanadasë.
Prej asaj ngjarjeje nisa hashtagun #IBeatMyAssaulter, që gjithashtu u bë viral dhe frymëzoi gra nga e gjithë bota të ndajnë historitë e tyre.
Ndoshta ky është momenti që çliron gratë meksikane
“Nga një dekadë tashmë ne po thyejmë tabunë, por është shumë e vështirë,” më tha Cardona.
“Shumë gra ndihen ende të turpëruara, por tani mund të flasim më lirshëm për këtë.”
Ajo u flet studentëve të saj – meshkuj e femra – për kujdesin që tregon sa herë del nga shtëpia.
“Mendoj si të vishem që të mos më kapin nga prapa, ose që të mos më thonë diçka të ndyrë. U pyes studentët meshkuj: ‘A keni menduar ndonjëherë për këtë?’ Asnjëherë.”
Tani që e kanë parë ndodhinë ndaj vetë presidentes, në mes të ditës, në një video që ka qarkulluar në gjithë botën — a do të fillojnë burrat meksikanë të mendojnë ndryshe?
“I them studentëve të mi: duhet ta përqafoni zemërimin!” tha Cardona.
Unë i tregova se ai burri që më preku në klub do ta kujtojë gjithmonë gruan që e rrahu.
*Mona Eltahawy është autore e buletinit Feminist Giant dhe e librave The Seven Necessary Sins for Women and Girls dhe Headscarves and Hymens: Why the Middle East Needs a Sexual Revolution.
Përgatiti për botim: L.Veizi
