Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, është pritur ditën e sotme në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Takimi i referohej arritjes së një sërë marrëveshjesh që përfshijnë miliona dollarë investime.
Takimi u shoqërua me një ceremoni të jashtëzakonshme mirëseardhjeje, ku u dha dhe një shfaqje fluturimi të avionëve F-35 e F-15, ndërsa në konferencë Salman dhe Trump nuk i shpëtuan pyetjeve politike mbi çështje të ndjeshme rajonale.
“Princi nuk dinte asgjë për vrasjen e Khashoggi-t”
Gjatë diskutimit me gazetarët në zyrën ovale, Trump deklaroi se princi Mohammed bin Salman “nuk dinte asgjë” për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në vitin 2018. Një deklaratë kjo që bie ndesh me raportin e inteligjencës amerikane të vitit 2021, i cili arriti në përfundimin se princi e kishte aprovuar operacionin.
Jamal Ahmad Hamza Khashoggi u vra në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018, dyshuar nga agjentë të qeverisë saudite, urdhër i lëshuar nga Modammed bin Salman.
Trump shtoi gjithashtu se vetë Khashoggi ishte “jashtëzakonisht kontrovers”, duke theksuar se shumë njerëz “nuk e pëlqenin”.
Princi saudit, nga ana e tij, tha se ndjen “dhimbje” për familjet e sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001, ndërsa për Khashoggi-n u shpreh se është “e dhimbshme” kur dikush humb jetën “pa asnjë arsye”.
Investimet saudite, nga 600 miliardë shkojnë në 1 trilion dollarë
Një nga pikat më të nxehta të këtij takimi ishte ekonomia. Princi Mohammed bin Salman konfirmoi se investimet saudite në SHBA do të arrijnë në 1 trilion dollarë, duke e rritur premtimin e mëparshëm prej 600 miliardësh.
Trump e vlerësoi publikisht këtë angazhim, duke e quajtur “të jashtëzakonshëm” dhe një garanci për rritjen e vendeve të punës në SHBA-ve. m.p.
