Raporti special mbi shëndetin dhe ndryshimet klimatike, i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, paralajmëron se një në 12 spitale mund të përballet me mbyllje për shkak të klimës.
Raporti bën thirrje për veprime urgjente për të mbrojtur sistemet shëndetësore në një botë që po ngrohet me shpejtësi.
Kjo vjen pas lançimit të Planit të Veprimit për Shëndetin në Belém të Brazilit, një iniciativë kryesore e COP30 që e vendos shëndetin në qendër të politikës klimatike.
“Kriza klimatike është një krizë shëndetësore, jo në të ardhmen e largët, por këtu dhe tani. Ky raport i posaçëm ofron prova mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek individët dhe sistemet shëndetësore, si dhe shembuj nga bota reale të asaj që vendet mund të bëjnë dhe po bëjnë, për të mbrojtur shëndetin dhe për të forcuar sistemet shëndetësore”,-tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Raporti zbulon se 3.3 deri në 3.6 miliardë njerëz jetojnë në zona shumë të ndjeshme ndaj ndikimeve klimatike, ndërsa spitalet përballen me një rrezik 41% më të lartë dëmtimesh nga moti ekstrem krahasuar me vitin 1990.
Raporti nxjerr në pah boshllëqet e mëdha në planifikimin e përshtatjes shëndetësore.
Vetëm 54% e planeve kombëtare të përshtatjes shëndetësore vlerësojnë rreziqet për institucionet shëndetësore.
Numri i vendeve me sisteme paralajmërimi të hershëm për shumë rreziqe u dyfishua midis viteve 2015 dhe 2023, por mbulimi mbetet i pabarabartë, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara dhe shtetet e vogla ishullore. /K.M
