Kompania Meta ka vendosur të zgjerojë masat e saj të sigurisë për të miturit në rrjetet sociale, duke bllokuar funksionin e transmetimit live (livestreaming) në Instagram për përdoruesit nën 16 vjeç, nëse nuk kanë miratimin e prindërve. Gjithashtu, prindërit do të kenë fjalën e fundit nëse fëmijët e tyre duan të çaktivizojnë funksionin që errëson imazhet me përmbajtje të dyshuar nudoje në mesazhet private.
Këto ndryshime vijnë paralelisht me zgjerimin e sistemit të llogarive për adoleshentët nga Instagrami edhe në platformat Facebook dhe Messenger. Ky sistem u prezantua vitin e kaluar dhe, në mënyrë automatike, vendos kufizime për përdoruesit nën 18 vjeç, duke i dhënë prindërve mundësinë të vendosin kufij për kohën e përdorimit të aplikacionit, të bllokojnë përdorimin në orare të caktuara dhe të shohin me cilët persona po shkëmbejnë mesazhe fëmijët e tyre.
Llogaritë për adoleshentët në Facebook dhe Messenger do të implementohen fillimisht në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada. Përdoruesit nën 16 vjeç do të kenë nevojë për leje prindërore për të ndryshuar cilësimet e sigurisë, ndërsa ata të moshës 16 dhe 17 vjeç do të kenë mundësinë t’i modifikojnë vetë këto cilësime, megjithëse do të hyjnë automatikisht në versionin me kufizime.
Sipas Meta-s, më shumë se 54 milionë adoleshentë nën moshën 18 vjeç përdorin llogaritë e reja të sigurisë në Instagram, dhe mbi 90% e atyre të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë ruajtur cilësimet e paracaktuara të sigurisë, raportojnë mediat.
Organizata britanike për mbrojtjen e fëmijëve NSPCC përshëndeti zgjerimin e këtyre masave në Facebook dhe Messenger, por theksoi se Meta duhet të bëjë më shumë për të parandaluar shpërndarjen e përmbajtjes së dëmshme në platformat e saj.
“Për të qenë efektive, këto ndryshime duhet të shoqërohen me masa proaktive që ndalojnë përhapjen e përmbajtjeve të rrezikshme në Instagram, Facebook dhe Messenger,” deklaroi Matthew Sowemimo, drejtues i politikave për sigurinë e fëmijëve në internet pranë NSPCC. m.p.
