Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka rritur tensionet me Ukrainën, duke deklaruar se “Ukraina nuk është një shtet i pavarur” dhe duke minimizuar shqetësimet për fluturimin e dronëve hungarezë brenda territorit ukrainas.
Gjatë një podcasti të partisë Fidesz, Orbán komentoi me ironi incidentin: “Le të themi që fluturuan disa metra brenda (në Ukrainë), e pastaj çfarë? Ukraina nuk është shtet sovran… nëse Perëndimi ndalon ndihmën financiare, ajo rrëzohet brenda ditës.” Ai shtoi se, megjithëse Hungaria dhe Ukraina kanë dallime, ato “nuk janë armiq”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm muajt e fundit, për shkak të bllokadës hungareze ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe bashkëpunimit të Budapestit me Moskën në fushën e energjisë.
Në reagim ndaj veprimeve të Kievit, Hungaria njoftoi gjithashtu se do të marrë masa kundër mediave ukrainase, pas vendimit të Ukrainës për të bllokuar qasje në portale proqeveritare hungareze, të cilat akuzohen për përhapje të propagandës ruse./E.S
