Tensionet mes Kinës dhe Japonisë po rriten ndjeshëm, ndërsa Pekini ka publikuar një video të re propagandistike me tone të ashpra ushtarake. Materiali, i titulluar “Nëse shpërthen lufta sot, ky është reagimi im”, vjen nga Forca Raketore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe shfaq pamje të avionëve luftarake dhe anijeve luftarake.
Publikimi i videos ndodh vetëm dy javë pasi kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi paralajmëroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të shkaktojë reagim të drejtpërdrejtë ushtarak nga Japonia. Deklarata e saj ndezi menjëherë polemika.
Megjithë presionin politik nga Pekini, Takaichi nuk ka bërë asnjë tërheqje. Përkundrazi, Japonia ka vijuar me planet për të vendosur raketa në ishullin Yonaguni, pika më e afërt me Tajvanin.
Së fundmi në një deklaratë për mediat, ministri japonez i Mbrojtjes bëri me dije se vendi po përparonte me përgatitjet.
Kina e ka cilësuar këtë veprim si provokim të qëllimshëm dhe përpjekje për nxitje tensioni në rajon.
Për momentin, retorika mbetet e ashpër nga të dyja palët, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim përshkallëzimin e situatës./mxh
