Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një fjalim të fortë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku më shumë se sa të ofronte një vizion bashkëpunues global, lëshoi paralajmërime të qarta: ndiqni politikën amerikane për emigracionin dhe energjinë, ose përballuni me pasoja të rënda.
Trump e cilësoi emigracionin si “çështjen numër një politike të kohës sonë”, duke thënë se vendet perëndimore po shkatërrohen nga lëvizjet masive të njerëzve. Ai akuzoi Kombet e Bashkuara se nxisin emigracionin përmes mbështetjes ndaj refugjatëve. Sipas tij, qytetarët që ndërtuan vendet e tyre me “gjak, djersë dhe lot”, sot po detyrohen të përballojnë kostot e të ardhurve.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan u ndal edhe tek mjedisi, ku pati kritika të ashpra për politikat klimatike. Ai e quajti teorinë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu një “mashtrim”, një “skemë” dhe një “gënjeshtër”. Sipas Trump, pas axhendës së gjelbër fshihet një përpjekje për të dobësuar industrinë e vendeve të zhvilluara. “Nëse nuk i largoheni këtij mashtrimi të gjelbër, vendi juaj do të dështojë,” deklaroi ai.
Fjalimi i Trump kishte një ton të drejtpërdrejtë ndaj Evropës – një kontinent që ai tha se e do por që, sipas tij, po përballet me kërcënime të brendshme për shkak të politikave të emigracionit dhe energjisë. Në një kohë kur populizmi i djathtë është në rritje në disa vende evropiane, komentet e presidentit amerikan mund të interpretohen si një mbështetje për lëvizje të ngjashme me atë që ai përfaqëson.
“Kam ardhur këtu për të ofruar dorën e udhëheqjes dhe miqësisë amerikane për çdo komb që dëshiron të na bashkohet në ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të begatë,” u shpreh ai në mes të fjalimit.
Një përmbledhje më e shkurtër e mesazhit të tij mund të ishte: “Bëni si unë, ose rrini mënjanë.” m.p.
