Turqia do të jetë vendi pritës i samitit klimatik Cop31 në nëntor 2026, pasi Australia u tërhoq nga gara për organizimin e ngjarjes, pavarësisht një fushate të gjatë për ta sjellë samitin në Adelaide. Megjithatë, nëpërmjet një marrëveshjeje kompromisi të arritur në Cop30 në Brazil, Australia do të udhëheqë negociatat ndërkombëtare gjatë konferencës, ndërsa Turqia do të merret me mikpritjen dhe organizimin.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve intensive mes ministrit australian të klimës Chris Bowen dhe homologut të tij turk, Murat Kurum. Ajo parashikon që Turqia të mbajë presidencën formale të Cop31, ndërsa Australia të emërohet “presidente e negociatave”, rol që i jep Canberra-s ndikim të konsiderueshëm në drejtimin e bisedimeve mbi zgjidhjet globale për krizën klimatike.
Kompromisi erdhi pasi një bllokim i paqartë kërcënonte të zhvendoste samitin në selinë e OKB-së për klimën në Bonn, një opsion i padëshiruar nga Gjermania dhe i konsideruar i dëmshëm për procesin klimatik global. Australia argumentoi se ruajtja e konsensusit ishte thelbësore për të shmangur një vit të tërë pa drejtim politik në negociata.
Vendimi ka shkaktuar zhgënjim të madh te aktivistët e mjedisit, investitorët e industrisë së pastër dhe disa shtete të Paqësorit, të cilat e kanë theksuar prej kohësh nevojën që samiti të mbahej në rajonin e tyre për të reflektuar rrezikun ekzistencial që ngrohja globale paraqet për to. Papua Guinea e Re dhe organizata të shumta të klimës kritikuan fuqishëm rezultatin.
Nga ana tjetër, kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi marrëveshjen si një rezultat shumë të mirë për Australinë, duke argumentuar se vendi tani mban një pozicion të fortë në procesin negociator. Por kritikët brenda vendit fajësuan procesin e paqartë të OKB-së dhe pretenduan se Turqia bllokoi padrejtësisht ofertën e Australisë.
Organizatat e klimës i kanë bërë thirrje Australisë që të shfrytëzojë rolin e saj drejtues për të avancuar kërkesat e vendeve të Paqësorit, përfshirë daljen graduale nga lëndët djegëse fosile dhe garantimin e financimeve të reja dhe të drejta për adresimin e dëmeve klimatike. Po ashtu, ato kërkojnë të sigurohet pjesëmarrja e plotë e shoqërisë civile në samitin që do të mbahet në Turqi./ K.M
