Last Updated on 01/09/2025 by adminfjala
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në orët e para të mëngjesit të së hënës se ishte arrestuar një i dyshuar për vrasjen e ish-kryetarit të parlamentit Andriy Parubiy, i cili u ekzekutua më 30 gusht në Lviv.
“I dyshuari ka dhënë dëshminë e tij fillestare. Po kryhen veprime urgjente hetimore për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje”, tha Zelensky, duke falënderuar policinë dhe Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës për veprimin e tyre të shpejtë.
Ivan Vyhivskyi, kreu i policisë së Ukrainës, theksoi se krimi nuk ishte aksidental dhe se “ka gjurmë ruse” në të. Sipas Ministrit të Brendshëm Ihor Klimenko, vrasësi u arrestua në rajonin Khmelnytskyi pasi u përpoq të fshihte gjurmët duke ndërruar rrobat dhe duke hedhur armën.
Parubiy u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Lviv të shtunën, pasi agresori, i maskuar si shpërndarës e qëlloi tetë herë me armë zjarri. Policia tha se sulmi ishte planifikuar me kujdes, me vrasësin që kishte ndjekur lëvizjet e viktimës dhe kishte planifikuar arratisjen e tij. m.p.
