Last Updated on 08/10/2025 by adminfjala
Përgatiti: Leonard Veizi
Në mëngjesin e tetorit të vitit 1996, dritat e Jerusalemit ndriçuan një çast aq sa pak kush do ta kishte besuar se mun d të ndodhte pak vite më parë. Jaser Arafati, njeriu që për dekada ishte parë nga shumë izraelitë si armik, zbarkonte për herë të parë publikisht në Izrael për t’u takuar me presidentin Ezer Vajcman. Ishte një çast i mbushur me simbolikë: një dorë e zgjatur mes dy botëve të ndara nga historia, gjaku dhe mosbesimi.
Vizita ndodhi në një kohë të trazuar. Vetëm pak javë më parë, përplasjet e dhunshme mes forcave izraelite dhe protestuesve palestinezë kishin lënë pas dhjetëra të vrarë. Hapja e një tuneli arkeologjik pranë Xhamisë Al-Aksa kishte ndezur ndjeshmëritë fetare e politike në të gjithë rajonin, duke vënë në rrezik çdo përpjekje për paqe. Pikërisht atëherë, Arafat vendosi të kalonte kufirin — jo me fjalë lufte, por me gjuhën e dialogut.
Takimi me Vajcman -in në rezidencën presidenciale u pa si një akt guximi politik, një përpjekje për të ringjallur frymën e Marrëveshjeve të Oslos, që vetëm pak vite më parë kishin ngritur shpresën e bashkëjetesës. Dy burrat folën për sigurinë, për bashkëpunimin, por mbi të gjitha për nevojën e ndërtimit të besimit — një fjalë që në Lindjen e Mesme tingëllon shpesh më e rëndë se armët.
Megjithatë, si shumë gjeste të ngjashme në historinë e këtij konflikti, edhe kjo vizitë do të mbetej një shpresë e brishtë. Realiteti në terren do ta përpinte shpejt optimizmin: vendbanimet izraelite vazhduan të zgjerojnë kufijtë, ndërsa ekstremistët nga të dyja palët vazhduan të minojnë çdo tentativë për paqe.
Sot, kur kujtohet ajo ditë e tetorit 1996, ajo mbetet si një kujtim i një mundësie të humbur. Një çast i rrallë kur historia, për një kohë të shkurtër, dukej se po merrte frymë më lehtë. Një dorë e shtrirë që s’u kap dot plotësisht, por që mbetet ende si një kujtesë se paqja nuk lind nga fitoret, por nga guximi për të dëgjuar tjetrin
