Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka nisur procesin e kategorizimit dhe vlerësimin për sigurinë ushqimore, për produktet me origjinë shtazore, qumështi, mishi, peshku dhe veza, si një masë për të përmbushur standardet e sigurisë së kërkuara nga procesi i integrimit në BE.
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtare të Ushqimit (AKU) Blerina Gjylameti tha në konferencën e parë Kombëtare të Industrisë së Përpunimit të Qumështit se pas një skanimi që i është bërë sektorëve kanë nisur inspektimet nga trupa e AKU në stabilimente dhe fabrika.
Pas përfundimit të tyre do të bëhet edhe një kontroll i dytë, përfshirë dhënien e rekomandimeve të inspektorëve vendas që duhet të zbatohen nga bizneset.
Procesi duhet të jetë real, në përmbushje të standardeve të BE-së. Tashmë tha ajo, do të kalojmë në hapin e dytë.
“Do të verifikohen 253 operatorë të përpunimi të qumështit për të parë se ku jemi. Në listë verifikimet e inspektorëve do të ketë komente të detajuara, për të parë se çfarë duhet të ndryshojë. Në fund të raportit do të kemi të qartë se çfarë do të ndryshojë”.
Më pas tha Gjylameti, do të hartohet një strategji kombëtare, për të parë sesi do të ndihmohet ky sektor.
Edhe laboratorët do të testohen sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Në këtë kuadër kanë nisur investimet për 7 laboratorë, 4 prej tyre do të ndërtohen nga e para. Një zhvillim i rëndësishëm është procesi i vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve të produkteve me origjine shtazore dhe ushqimit për kafshë”.
Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë tha se ka filluar një analizë shumë e rëndësishme e asaj çfarë na pret, por ai konstaton se ky proces është marrë shumë lehtë.
“Do të jetë një mundësi fantastike dhe hapet një treg i madh. Por siç është mundësi, ka shumë sfida e rreziqe. Ajo që po vjen nuk është shëtitje në park. Ministria e Bujqësisë ishte e para që e kuptoi, e nisi me ngrirjen e alarmit në dhjetor e bashkë me AKU kanë nisur kategorizimin e bizneseve”.
Nga analiza e bërë ka rezultuar që përpunuesit e qumështit do të përballen me 18 kapituj me shumë detyrime që do të kontrollohen nga inspektoriate.
“Ju do t’ju preken shumë fusha që nga siguria, punësimi, patenta, punonjësit etj. Qeveria duhet të fillojë një plan kombëtar që t’u thotë të gjithë bizneseve me çfarë do të përballen. Jemi një ekonomi me 140 mijë NIPT-e dhe nuk do të jetë e vështirë për të kaluar këto sfida. Edhe ju si biznese duhet të nisni të përgatitemi për këtë transformim”, paralajmëroi Shkodra.
Isuf Begaj, themelues i kompanisë Erzeni tha se duhet të nisim të bëhemi gati për t’u futur në Europë. Por ai shtoi se fermerët kanë më shumë nevojë për mbështetjen e bujqësisë./monitor.al-A.D
