Rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës janë shqetësimet kryesore pothuajse në të gjitha vendet e BE-së, sipas Eurobarometrit të ri.
Në Francë dhe Austri, pesimizmi mund të lidhet me një imazh negativ për Bashkimin Europian.
Ndërsa europianët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për rritjen e çmimeve, shumë prej tyre besojnë se standardi i tyre i jetesës do të përkeqësohet në të ardhmen.
Gati një e treta e qytetarëve, 29 për qind, besojnë se standardi i tyre personal i jetesës do të bjerë gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa vetëm 18 për qind presin që ai të përmirësohet, sipas një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar të mërkurën.
Sondazhi, i cili mblodhi përgjigje nga mbi 26,000 persona në të gjithë BE-në, tregon dallime të theksuara mes brezave sa i përket pesimizmit: ankthi ekonomik arrin në 34 për qind tek ata të moshës 55 vjeç e lart, krahasuar me vetëm 17 për qind të të rinjve që ndajnë të njëjtin mendim.
Pritshmëritë ndryshojnë ndjeshëm edhe nga një vend në tjetrin. Shtetet anëtare perëndimore priren të regjistrojnë përqindje më të larta përgjigjesh negative, me Francën në krye, ku 44 për qind e të anketuarve presin që situata e tyre të përkeqësohet.
Portugalia, Gjermania dhe Austria shfaqin rezultate të ngjashme, ndërsa pritshmëritë janë më pozitive në vendet nordike dhe në Europën Qendrore e Lindore.
Në Poloni, vetëm 9 për qind e të anketuarve presin që situata e tyre të përkeqësohet, ndërsa Hungaria regjistron nivelin më të ulët të pesimizmit ekonomik në të gjithë bllokun, me vetëm 8 për qind.
Problemi europian
Në disa vende, një këndvështrim pesimist mund të lidhet me një perceptim negativ ndaj Bashkimit Europian.
Megjithëse imazhi i përgjithshëm i BE-së mbetet pozitiv për 50 për qind të qytetarëve dhe negativ për 17 për qind, diferenca është më e ngushtë në vende si Franca, Austria, Greqia dhe Çekia.
Qytetarët francezë dhe austriakë janë gjithashtu ndër më skeptikët sa i përket përfitimeve të anëtarësimit të vendeve të tyre në BE. Vetëm 62 për qind e të anketuarve në të dyja vendet besojnë se bilanci i përgjithshëm ka qenë pozitiv, niveli më i ulët në Europë pas Bullgarisë, ku kjo përqindje është 57 për qind.
“Ka disa faktorë që duhen marrë parasysh, por pasiguria ekonomike dhe rritja e çmimeve mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet BE-ja,” tha zyrtari i PE, kur u pyet nëse rënia e fuqisë blerëse po kontribuon në rritjen e partive euroskeptike, si Tubimi Kombëtar në Francë apo Partia e Lirisë në Austri.
Pamja përgjithësisht negative për të ardhmen shoqërohet me shqetësime në rritje për “inflacionin, rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës”, të cilat renditen si çështjet kryesore që qytetarët duan të trajtojë Parlamenti Europian.
Kjo është shqetësimi kryesor për 47 për qind të qytetarëve të BE-së, 6 pikë përqindjeje më shumë se në sondazhin e mëparshëm, kur kjo çështje renditej gjithashtu e para. Pas saj vijnë “ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës” dhe “siguria e mbrojtjes së BE-së”.
Pothuajse një e treta e të anketuarve (27 për qind) thonë se cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa 11 për qind besojnë se është përmirësuar dhe 62 për qind thonë se ka mbetur e pandryshuar./ Euronews-ad
