Last Updated on 04/05/2026 by EL
Rreth 500 fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u bënë pjesë e edicionit të dytë të konkursit mbarëkombëtar të pikturës “Unë jam ngjyra”, duke e kthyer Tiranën në një hapësirë të mbushur me kreativitet dhe imagjinatë.
Aktiviteti i organizuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë u përmbyll me një ekspozitë të hapur në sheshin para Teatrit të Kukullave, ku u prezantuan 60 pikturat më të mira të përzgjedhura nga juria. Tema e këtij viti, “Zogjtë”, solli një shumëllojshmëri interpretimesh artistike nga më të vegjlit, që tërhoqën vëmendjen e qindra vizitorëve vendas dhe të huaj.
Në ceremoninë përmbyllëse u shpallën edhe fituesit për secilën grupmoshë. Në kategorinë 6–9 vjeç, çmimi i parë shkoi për Hana Lekën nga Tirana, i dyti për Asel Koçin dhe i treti për Alan Mbriçen. Në grupmoshën 10–12 vjeç u vlerësua me vendin e parë Rei Shkëmbi, i ndjekur nga Amel Himaj dhe Hana Dërmishi. Ndërsa në kategorinë 13–15 vjeç fitoi Keila Ktona, me vendin e dytë për Yljana Çujaj nga Shkodra dhe të tretin për Ajla Çelën nga Tirana.
Përveç çmimeve kryesore, u ndanë edhe dy çmime speciale, ku Roan Myftaraj nga Vlora u vlerësua me çmimin “ALBAS”, ndërsa Bora Qamili nga Tetova mori çmimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Konkursi u zhvillua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe përfshiu një numër të madh qendrash kulturore për fëmijë nga rrethet, duke e kthyer këtë aktivitet në një nga eventet më gjithëpërfshirëse për artin e të vegjëlve në hapësirën shqiptare./et
