Një sasi prej 50 pakosh ushqimore dhe 1 ton miell kanë mbërritur nga Rezervat Materiale të Shtetit në qytetin e Pogradecit, pas kërkesës së bërë nga kjo bashki pas situatës me motin e keq.
Mësohet se shpërndarja e tyre do të fillojë mëngjesin e së dielës, për familjet të cilat u dëmtuan nga vërshimi i ujrave në banesat e tyre.
Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Pogradec, Dritan Babasuli thekson se procesi erdhi pas identifikimit të rasteve dhe synohen që përmes tyre të jepet një ndihmë sado e vogël.
“Në vijimësi të punës të Shtabit të Emergjencave, të ngritur në Bashkinë Pogradec, pas identifikimit dje dhe sot të 62 familjeve, u kërkua nga kryetari dhe instancat qëndrore një ndihmë sado e vogël për familjet në nevojë. Agjencia e Rezervave të Shtetit solli 50 kuti me ushqime të ndryshme dhe rreth 1 ton miell, të cilat do të shpërndahen që nesër në mëngjes nëpërmjet stafit të bashkisë. Shtabi i emergjencës, në përbërje të së cilit ka edhe punonjës nga Drejtoria e Strehimit, janë duke punuar për të përgatitur dokumentacionin për bonus qiraje për këto familje. Janë 6 familje, ku 4 janë të strehuar në të afërmit e tyre, njëri ka gjetur qira, njërin e kemi në proces zgjidhjeje”,-tha Babasuli.
Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit, në qytetin e Pogradecit, 6 familje janë evakuar nga banesat e tyre, që kanë pësuar dëme të shumta dhe janë kthyer në të pabanueshme.
Ndërkaq, për ta do të jepet jashtë radhe e me emergjencë bonusi i qirasë, deri në rikonstruksionin e plotë të banesave nga fondi i emergjencës.
