Last Updated on 12/12/2024 by adminfjala
Forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontrolle në Shkodër dhe fshatrat përreth me urdhër të SPAK ndërsa burime të pakonfirmuara thonë se me kërkesë të prokurores së posaçme Elida Kaçkini, e cila po heton masakrën me 4 viktima në Shkodër, janë ushtruar kontrolle në Dobraç.
Të njëjtat burime konfirmojnë se një nga banesat e kontrolluara është ajo e Safet Bajrit, por deri më tani nuk raportohet për gjetje të sendeve të kundraligjshme. Kontrollet janë bërë me vendim të GJKKO-së e cila ka pranuar kërkesën e SPAK, ndërsa raportohet në rrugë operative se janë lëshuar edhe urdhërarreste.
Masakra e Shkodrës ku nga atentati humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, mbetet ende pa autor zyrtar përgjegjës për porositjen apo kryerjen e saj.
Ndërkohë, disa persona janë shpallur në kërkim policor, por mbeten të rezervuara informacionet mbi dyshimet që ka organi i akuzës për rolin e tyre. Çështja fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, e cila pas disa javësh shpalli moskompetencë duke ia kaluar aktet SPAK-ut./e.t