Qeveria australiane ka njoftuar planet për të taksuar firmat Big Tech, nëse nuk arrijnë të ndajnë të ardhurat me organizatat lokale të mediave të lajmeve.
Masa, e zbatueshme nga 1 janari, do të detyrojë firmat si Meta dhe Google me të ardhura me bazë në Australi mbi 250 milionë dollarë australianë (160 milionë dollarë), të paguajnë për përmbajtjen ose të përballen me një faturë të rëndë tatimore që mund të arrijë në miliona.
Duke njoftuar masën, Ministrja e Komunikimit, Michelle Rowland, tha të enjten se rritja e shpejtë e platformave dixhitale kishte “çrregulluar” peizazhin mediatik dhe po “kërcënonte qëndrueshmërinë e gazetarisë së interesit publik”.
“Platformat dixhitale duhet të mbështesin aksesin në gazetari cilësore që informon dhe forcon demokracinë tonë,” deklaroi ajo.
Rregullat e reja do të mbështesin kompanitë tradicionale të medias që bëjnë një betejë për mbijetesë pasi përmbajtja e tyre ofrohet lirisht në platforma, duke fshirë dollarët e çmuar të reklamave. Mes krizës së vazhdueshme, qindra gazetarë australianë kanë humbur punën e tyre.
Qeveria australiane tregoi se kompanitë mëmë të Google, Facebook dhe TikTok do të jenë në shënjestër të taksës, e cila do të hiqet nëse ata hyjnë vullnetarisht në marrëveshje tregtare me kompanitë australiane të medias.